Kosova që nga 30 gushti ka mbetur pa ambasadorë në 12 shtete, kjo pasi ata që u shkarkuan në majin e këtij viti nga presidentja, Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla, ende nuk janë zëvendësuar me diplomatë të rinj.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, me 19 maj të këtij viti mori vendimin që të lirojë të gjithë ambasadorët e emëruar politik, teksa sot është zbuluar se zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transferev, Ilir Kapiti, pritet të nominohet ambasador në Angli, shkruan Gazeta Insajderi.
Ndryshe Ilir Aliu- Kapiti, në qeverinë ‘Kurti 1’ ishte zëvendësministër në ministrinë e Financave. Ai po ashtu ka qenë edhe kandidat në zgjedhjet e 14 shkurtit për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku mbante numrin 100 në listë.
Ilir Kapiti emërohet Zv. Ministër në Ministrinë e Financave
Emrat e tjerë të propozuar për ambasador janë edhe Martin Berishaj në Kroaci, Mehdi Halimi në Francë dhe Dren Doli në Holandë.
Edhe Martin Berishaj, i cili është profesor në Universitetin e Lubjanës dhe Universitetin e Prishtinës, është përkrahës i hapur i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai ishte pjesëmarrës në fushatën e 14 shkurtit përkrahë Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, teksa bënte thirrje të votohej Lëvizja Vetëvendosje.
Kujtojmë se në maj të këtij viti, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla mori vendim për shkarkimin e 12 ambasadorëve të emëruar politik, kthimi i të cilëve tha se do të bëhet më 30 gusht, e që sipas saj do të bëhet dërgimi i diplomatëve të rinj.
Procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj parashohin që ministrja e Jashtme të dërgojë për miratim në qeveri propozimet të cilat pastaj i përcjellën Kuvendit të Kosovës, komisioni për Punë të Jashtme e bënë intervistimin dhe përgatit raportin për secilin prej tyre, të cilin më pas e dërgon në Presidencë.
Ndërsa emërimi i ambasadorëve bëhet me dekretin e presidentit të vendit./Insajderi.org