Ambasadori amerikan: Asociacioni s’do të ketë kompetenca ekzekutive, në përputhje me Kushtetutën

Prishtinë | 09 Nën 2023 | 10:27 | Nga Loresa Selimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Jeffrey Hovenier, tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, raporton Ekonomia Online.

Hovenier tha se draft-statuti i Asociacionit që diplomatët euro-amerikanë ia kanë prezantuar kryeministrit Albin Kurti duhet ta respektojë plotësisht Kushtetutën e Kosovës.

Madje sipas tij, qëndrimi i ShBA-së është që Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Ai tha se qeveria s’ka arsye që të mos avancojë me themelimin e Asociacionit, pasi, siç u shpreh ai, kryeministri Kurti para dy jave ka shprehur gatishmërinë e tij për ta pranuar në tërësi këtë propozim.

“Statuti është prezantuar nga BE-ja, por me prezencën e ShBA-së si pjesë e kësaj. Është shqyrtuar nga BE-ja dhe ShBA-ja dhe është përgatitur në mënyrë që të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Të ju kujtoj qëndrimin e qeverisë së ShBA-së se çfarë duhet të jetë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. E kemi thënë shumë herët, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, nuk duhet kërkuar ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv. Nuk duhet të jetë një shtresë e re qeverisëse. Duhet të jetë në përputhje me pikëpamjet që i kanë thënë në artikullin e botuar në janar këshilltari Dereck Chollet dhe emisari Gabriel Escobar”.

“Ne besojmë se ky draftstatut që i është dhënë Qeverisë së Kosovës i përmbush këto kritere, është në përputhje me këtë. Besojmë se është shkruar në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Por, është vetëm një entitet që mund ta vendosë nëse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës apo jo dhe ajo është Gjykata Kushtetuese. Siç ka thënë kryeministri Kurti në Kuvend, një nga nenet në këtë drafstatut është se do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese. Do të bëhet rishikimi para se të hyjë në fuqi”.

“Për afat, nëse lexoni deklaratat e kancelarit gjerman, presidentit francez, kryeministres së Italisë, e më duhet të them është e jashtëzakonshme që këta liderë të lartë evropianë po përfshihen direkt në këtë proces për ta ndihmuar Kosovën të ecë përpara në rrugën evropiane, euroatlantike e të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që është në përfitim të dy vendeve por në veçanti për njerëzitë e Kosovës. Ata përdorin fjalët si urgjent, sa më shpejtë të jetë e mundur e gjëra të tilla. Ka urgjencë, ka dëshirë të shihet të ecët shpejtë. Është pjesë e bisedave tona me Qeverinë tash. Nuk ka arsye pse Qeveria e Kosovës të mos ecë para me këtë draft-statut. Kryeministri shprehu gatishmërinë e tij për ta pranuar në tërësi vetëm disa javë më parë. Ne jemi duke punuar për të parë të bëhet si element i strategjisë sonë më të gjerë. Nuk është vetëm Asociacioni, e as nuk mund të jetë. Duhet të zbatohen të gjitha obligimet e marra nga Kosova dhe Serbia me Marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit në Ohër. Duam të shohim këtë”.

Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar “pakrahasimisht më të avancuar” draftin për Asociacionin të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sesa marrëveshjet e mëhershme. Megjithatë, ka shtuar se kjo s’do të thotë që Kosova është e kënaqur me përmbajtjen e draftit.

Të ngjashme