Ambasadori amerikan në Serbi, Anthony Godfrey tha sot se Administrata Biden ende dëshiron që gjithçka që është rënë dakord në Washington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të zbatohet.
Godfrey tha se Shtetet e Bashkuara ende duan që gjithçka që është rënë dakord në Washington të zbatohet dhe kujtoi se Amerika e ka mbështetur procesin që çon në një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
“Administrata do të vazhdojë t’i trajtojë elementet e marrëveshjes së Washingtonit si prioritet. Shtetet e Bashkuara bien dakord që disa nga çështjet zgjidhen më mirë përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja dhe jemi të gatshëm të mbështesim procesin sa më mirë që të mundet”, tha Godfrey.
Ai shtoi se Presidenti Joe Biden e kupton shumë mirë rëndësinë e një Ballkani të qëndrueshëm dhe të prosperuar, si dhe një Evrope të bashkuar dhe të lirë.
“Ne mbështesim plotësisht qëllimin strategjik të Serbisë për t’u bashkuar me BE-në dhe gjithçka që duhet të bëjë për të pasur sukses. Ndihma jonë përmes programeve në vetë Serbinë, si dhe mbështetja jonë e qartë politike për procesin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, po e ndihmon Serbinë të zbatojë reformat e nevojshme dhe të ecim përpara në rrugën e saj evropiane”, u shpreh Godfrey.