Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka kërkuar nga politikanët kosovarë të mos merren me politikë në kohë virusi.
Në një postim të shkurtër në Facebook, ai ka porositur se s’ka politikë me virusin teksa ka lavdëruar bashkëpunimin mes politikanëve shqiptarë e serbë kohëve të fundit.
“Në këtë kohë të vështirë, bashkëpunimi mes komuniteteve, që e kemi parë javën e shkuar mes ministrave Arben Vitia dhe Dalibor Jevtiq, dhe mes kryekomunarëve Agim Bahtiri e Goran Rakiq në Mitrovicë, është i mirëpritur dhe përshëndetur. Siç ka thënë edhe Mbretëresha dje, nëse jemi të bashkuar dhe të vendosur, do të tejkalojmë këtë sëmundje. S’ka politikë me virusin. Populli i Kosovës nuk meriton më pak”, ka shkruar ai.
Ditëve të fundit, komunat në veri të Kosovës u futën në karantinë për shkak të koronavirusit. Teksa Qeveria e Kosovës tha se kjo u bë me vendim të tyre, opozita dhe presidenti Hashim Thaçi e kanë vlerësuar të papranueshme situatën e fundit.