Ambasadori gjerman kundër idesë për ndryshimin e kufijve: Është çështje e mbyllur

Prishtinë | 13 Maj 2021 | 21:04 | Nga Ekonomia Online

Të mbyllur e ka quajtur çështjen e mundshme për ndryshim kufijsh në Ballkan, Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë. Sipas tij, propozimet për kufij mbi baza etnike janë mentalitet të shekullit të shkuar dhe se ato janë të rrezikshme.

Në emisionin Desku, Rohde, duke komentuar non-paperat e fundit, atë për propozimin për ndryshime kufijsh në rajon dhe një tjetër për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se dokumenti i cili fliste për ndryshime kufijsh është hedhur me një qëllim të qartë.

“Për mua një gjë është e qartë: ndjeshmëria ekziston, prandaj edhe është diskutuar aq shumë, mirëpo nga ana politike të gjithë i kanë refuzuar ndryshimet e kufijve. Kjo çështje për ne është e mbyllur”, ka deklaruar ai.

Ai ka refuzuar të komentojë non-paperin për dialogun Kosovë-Serbi duke thënë se është demantuar me kohë dhe se “nuk ia vlen të diskutohet për diçka që s’është në tavolinë”.

Rohde ka refuzuar të flasë edhe për statutin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe çështjen e veriut, duke thënë se gjithçka që mund të diskutohet u takon dy palëve në dialog. Megjithatë, ai ka thënë prerë se Gjermania e sheh normalizimin e plotë mes Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke.

“Ne duam sukses, sepse suksesi është parakusht për rrugëtimin e mëtejmë për në BE. Siç e tha ministri im, normalizim i plotë për ne do të thotë që në fund njohja reciproke duhet të jetë pjesë e zgjidhjes përfundimtare”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme