Ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, thotë se interesi i Uashingtonit është që Ballkani Perëndimor të jetë një rajon i stabilitetit dhe prosperitetit.
“Qëllimi i SHBA është të inkurajojë dialogun midis Serbisë dhe Kosovës dhe të tregojë se njerëzit në rajon do të përfitonin nga gjetja e zgjidhjes për çështjen e Kosovës”, përcjell Al Jazzera deklaratën e Anthony Godfrey.
“Detyra ime është të përmirësoj marrëdhëniet e SHBA-së me Serbinë, por edhe të punoj në interes të vendit tim në Ballkan. Dhe është interesi i Amerikës që Ballkani Perëndimor të bëhet një rajon i stabilitetit dhe prosperitetit, ku respektohen vlerat demokratike, ku shtetet respektojnë kufijtë dhe kanë marrëdhënie të mira”, tha ambasadori amerikan, transmeton Telegrafi.
Ai theksoi se kjo është mënyra më e mirë për rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe kjo është arsyeja pse qëllimi i tij është të përdorë të gjithë energjinë dhe të gjitha mjetet e ambasadës në Beograd për të ndihmuar Serbinë të arrijë qëllimin që ia ka vënë vetes, anëtarësimi në BE.
Ai tha se BE kishte dërguar një sinjal të keq kur tha se po ndalonte procesin e zgjerimit.
“I dërguari amerikan i Ballkanit Perëndimor Matthew Palmer dhe unë kemi biseduar dhe kemi shprehur zhgënjimin që BE nuk ka ndërmarrë hapa përpara. Ishte një sinjal i keq”, tha ambasadori amerikan.
Godfrey ka përsëritur se SHBA angazhohet që të gjitha vendet e rajonit të bëhen anëtare të BE-së, veçanërisht ato që dëshirojnë ta bëjnë këtë.