Ambasadori i i Republikës së Kosovës, Lirim Greiçevci, i ka dorëzuar Letrat Kredenciale Mbretit të Holandës, Lartmadhërisë së Tij, Willem-Alexander.
Ceremonia në Pallatin Mbretëror në Hagë filloi me intonimin e himnit të Kosovës nga orkestra mbretërore dhe inspektimin e gardës mbretërore nga Ambasadori Greiçevci.
Ambasadori Greiçevci më pas dorëzoi Letrat Kredenciale dhe zhvilloi një takim me Mbretin e Mbretërisë së Holandës. Me këtë rast, duke përcjellë përshëndetjet e Presidentit Thaçi, ai shprehu falënderim të veçantë për mbështetjen e Holandës dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve. Njëkohësisht, Greiçevci premtoi se do të angazhohet për intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale.
Në këtë ceremoni, Greiçevci u shoqërua nga bashkëshortja, Lindita Greiçevci, si dhe diplomatët e ambasadës Besnik Ramadanaj, Këshilltar, Yllka Geci, Sekretare e Parë dhe Kolonel Ahmet Ajeti, Atashe i Mbrojtjes.
Në shkurt të vitit të ardhshëm, Ambasada e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës shënon 10 vite nga hapja e saj.
Mbretëria e Holandës është vendi i 23-të që ka njohur pavarësinë e Kosovës, përkatësisht më 04 mars 2008.