Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill është shprehur se ky është momenti që Serbia ka vetëm një rrugë, ajo është Perëndimi dhe Bashkimi Evropian (BE).
Hill për mediat serbe ka theksuar se ajo çfarë po ndodh në Ukrainë, është situatë krejt ndryshe nga ajo e Kosovës në vitin 1999.
“Për dallim nga e kaluara, kur në Serbi mendohej se ekziston një rrugë e tretë, se vendi nuk është as Lindje e as Perëndim, se është disi e veçantë, se shkon në rrugën e vet, tani shumica e serbëve mendojnë se ka një rrugë të drejtë dhe një rrugën e gabuar dhe duan të zgjedhin rrugën e duhur”, është shprehur Hill.
Siç tha ai, Serbia duhet të vendosë nëse dëshiron të ketë “një ushtri të vetë-mjaftueshme dhe të blejë armë nga vende të ndryshme, apo t’i bashkohet mbrojtjes kolektive”.
“Serbët duhet të vendosin për këtë dhe mendoj se kanë vendosur që e ardhmja e tyre të jetë në Perëndim dhe jo në ndonjë Lindje të padefinuar. Të gjitha këto i them në bazë të asaj që dëgjoj çdo ditë nga njerëzit”, theksoi ai.
Hill bënë me dije se Ukraina dhe Kosova janë “situata shumë të ndryshme” dhe bëri thirrje që ajo që ndodhi në Kosovë në vitin 1999 të mos lidhet me atë që po ndodh sot në Ukrainë.
“Kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë, ato janë vende fqinje. Serbët jetojnë në Kosovë dhe ka shumë gjëra në Kosovë që janë të rëndësishme për Serbinë. Fqinjët duhet ta zgjidhin këtë. Mënyra e duhur është dialogu dhe negociatat me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel”, tha Hill.
Ambasadori deklaroi se beson se të gjithë elementët duhet të jenë në tryezën e bisedimeve.
“Nëse flasim për integrimet euroatlantike, ato janë gjithashtu një element në atë tryezë të bisedimeve. Kur negocion, njëra palë dëshiron një gjë, pala tjetër dëshiron diçka tjetër, por atëherë duhet të flasësh për këtë”, ka përfunduar ai.