Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, Lulzim Hiseni, i ka dorëzuar letrat kredenciale Guvernatorit të Përgjithshëm të Kanadasë, David Johnston, në Quebec City, ku është edhe rezidenca e dytë zyrtare e kreut të shtetit.
Në takimin që ka pasur pas ceremonisë, ambasadori Hiseni dhe guvernatori Johnston, diskutuan për marrëdhëniet bilaterale të cilat u vlerësuan lart nga Johnston, i cili kujtoi takimin e tij të fundit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Derisa ka rikonfirmuar angazhimin e tij dhe të Kanadasë në mbështetjen e Kosovës. Guvernatori Johnston vlerësoi qasjen pozitive të Kosovës në politikën e jashtme, ku bën pjesë edhe hapja e Ambasadës së Kosovës në Ottavë, dhe caktimin e Hisenit, ambasador të parë rezident i Republikës së Kosovës në Kanada.
Kurse ambasadori Hiseni në këtë takim theksoi se marrëdhëniet me Kanadanë janë të rëndësishme për faktin se ky vend është një nga mbështetësit kryesorë të Kosovës që nga ndërhyrja e NATO-s.
Ai gjithashtu theksoi se në vizionin e saj të politikës së jashtme, Kosova e konsideron Kanadanë si vend partner, mik dhe mbështetëse të palëkundur në rrugën e saj drejt konsolidimit të plotë ndërkombëtar drejt integrimeve euro atlantike.
Kanadaja është ndër njohësit e parë të Republikës së Kosovës dhe që atëherë marrëdhëniet bilateral janë thelluar.