Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ndër të tjera, Rohde foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, ku tha se dy shtetet duhet të kthehen në tavolinën e dialogut dhe të gjejnë një kompromis.
Ai tha se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave, por theksoi se brenda BE-së nuk ka unanimitet për këtë çështje.
“Problemi qëndron te disa shtete skeptike. Ne, sikurse edhe Komisioni Evropian, e dimë që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme. Është mirë që qeveria tani është angazhuar edhe me shtetet skeptike dhe mendoj se do të vijë. Ka zgjedhje në disa shtete evropiane dhe unë mbetem optimist”, tha ambasadori Rohde.
Diplomati gjerman siguroi mbështetjen ndaj qeverisë Kurti, ndërsa theksoi se kjo e fundit duhet të bëjë hapa konkretë sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë dhe të mos mbetet vetëm në kuadrin e deklaratave.
“Mendoj se Përfaqësuesi Special Lajçak po bën ç’është e mundur për të ndërmjetësuar një marrëveshje dhe ne u kërkojmë të dyja palëve të ulen në tavolinë, të përpiqen të gjejnë një kompromis, sepse në fund të fundit, qytetarët duan rezultate. Kjo është edhe arsyeja pse u zgjodh kjo qeveri, për rezultate, jo deklarata”, u shpreh diplomati gjerman për Euronews Albania.
Diplomati gjerman komentoi edhe nismën ‘Open Balkan’, e cila, sipas tij, nuk është gjithëpërfshirëse, ndaj në këto kushte ai e mbështet Procesin e Berlinit.
“Procesi i Berlinit është përfshirës. Nëse i tillë është edhe ‘Open Balkans’ nuk e kam parë këtë ende. Kam parë që tri shtete nuk marrin pjesë dhe kjo është një çështje e hapur. Kryesore është që Procesi i Berlinit është proces përfshirës. Fatkeqësisht, nuk ka prodhuar ende shumë përparim, edhe për shkak të konfliktit në mes Kosovës dhe Serbisë dhe ne po shpresojmë ta tejkalojmë këtë”, u shpreh ambasadori gjerman.