Ambasadori i ri i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, ka thënë se Kosova ka nevojë për një angazhim më të fortë të Gjermanisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë.
Ai ka theksuar se duhet ndryshuar narracioni i krijuar që pa shtetin e Serbisë nuk mund të ketë zgjidhje në Ballkan.
“Unë do të përdor të gjithë forcën time argumentuese për të shpjeguar se një narracion i tillë deri tani nuk na ka ndihmuar të zgjidhim problemet. Pra, narracioni i krijuar gabimisht se Serbia është shteti kyç në Ballkan dhe se pa të nuk bëhet asgjë, është historikisht i gabuar, praktikisht i paqëndrueshëm dhe për të ardhmen i rrezikshëm. Thënë ndryshe, Beogradi është burim i destruktivitetit si ne Kosove, Bosnje dhe Hercegovine, Mal te Zi dhe më herët në Maqedoninë Veriore. Narracione te tilla qe privilegjojnë Serbinë janë te destinuara te dështojnë dhe ketë besoj na e ka mësuar mjaft mire historia”.
“Unë do të kërkoj që të të drejtohet vëmendja nga ata që luajnë rol konstruktiv: Nuk ka qenë Serbia, por faktori shqiptar, qoftë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, apo në Shqipëri e Mal të Zi. Për të ndryshuar këtë narracion duhet folur jo vetëm me ekzekutivin por edhe me ligjvënësit. Ngjashëm është edhe çështja e vizave. Edhe pse qeveria gjermane tani e ka vendosur qysh në marrëveshjen e koalicionit se do të kërkojë me forcë liberalizimin e vizave, mendoj se duhen sensibilizuar më shumë edhe ligjvënësit gjermanë, që kanë lidhje me kolegët e tyre në Evropë që të lobojnë për liberalizimin e vizave. Ka ardhur koha që shtetasit e Kosovës të trajtohen, ashtu siç e meritojnë, si evropianë”,ka thënë Ajeti në një intervistë për DW.