Ambasadori i Ukrainës në Beograd, Volodymyr Tolkac ka thënë sot se qëndrimi i Ukrainës në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk ka ndryshuar.
Tolkac ka thënë se mosnjohja e Kosovës ka të bëjë me ruajtjen e “parimeve të së drejtës ndërkombëtare”.
Ai tha për RTS se ata nuk duan të shkelin parimet.
“Ndonjëherë qytetarët tanë na pyesin pse ne e mbështesim Serbinë dhe jo Kosovën sepse Kosova e mbështet Ukrainën dhe Serbia jo, ne themi se problemi nuk është dallime, por çështje parimore. Ne duhet të ruajmë parimet e së drejtës ndërkombëtare”, tha Tolkac.
Kujtojmë se disa muaj më parë ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkac, kishte deklaruar se ka gjithnjë e më shumë zëra në shoqërinë ukrainase të cilët mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke shtuar gjithashtu se ka një numër të caktuar deputetësh në parlamentin ukrainas – përkrahës të idesë së njohjes së mundshme.
Kjo fundjavë shënon dy vjet që kur Rusia pushtoi Ukrainën, një konflikt që ka marrë dhjetëra mijëra jetë.
Më 24 shkurt 2022, Rusia filloi një pushtim në shkallë të gjerë të Ukrainës, fqinjit të saj në jugperëndim, duke shënuar një përshkallëzim të madh të luftës ruso-ukrainase në vazhdim që filloi në vitin 2014.