Ambasadori italian, Nicola Orlando ka reaguar sot pas sekuestrimit të djeshëm të 400 kilogramë kokainë dhe arrestimin e shtatë personave.
Sekuestrimi i drogës erdhi pas një aksioni të përbashkët të autoriteteve të Kosovës, Shqipërisë dhe Italisë dhe DEA-s amerikane.
“Italia, Kosova, Policia e Shqipërisë & GDF zhvilluan veprimin më të madh ndonjëherë kundër drogës, duke kapur 400 kg kokainë. Sot ne festuam këtë sukses të madh ndërkontinental me ministrin Xhelal Sveçla dhe ekipet operacionale.
Unë jam krenar për bashkëpunimin tonë efektiv kundër krimit”, shkruan ambasadori italian.
Ndryshe, për aksionin e djeshëm ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Prishtinë, duke e quajtur sekuestrimin e drogës fitore të madhe për sundimin e ligjit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti mbrëmë në një konferencë për media bëri të ditur se më 3 maj ka pranuar informacion se një dërgesë e dyshimtë që destinuar për Kosovën ndodhet në një port italian.
Mehmeti theksoi se është arritur marrëveshje me autoritetet italiane që e njëjta ngarkesë të përcillet nga institucionet e sigurisë të këtyre vendeve dhe Shqipërisë.
Ai tha se substancat narkotike ishin paketuar në 400 pako dhe të njëjtat dyshohet se ishin nisur nga Brazili.
“Substanca narkotike ishte e kamufluar me pako të ngjashme si lloje të ndryshme të mishit”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës thotë se janë në kërkim edhe persona tjerë të dyshimtë si të përfshirë në këtë rast.
“Aktualisht janë shtatë të arrestuar, të gjithë shtetas të Republikës së Kosovës. Mund të ketë edhe tjerë”, tha Samedin Mehmeti.