Ambasadori Kosnet flet për takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë

Prishtinë | 17 Qer 2020 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka folur për temat më të rëndësishme në vend.

Aambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një intervistë për Telegrafin ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend, për ish-qeverinë Kurti, për Qeverinë Hoti, për takimin në Washington ndërmjet Kosovës e Serbisë, për luftën kundër korrupsionit, për vettingun e mundshëm në sistemin e drejtësisë, për ndihmën amerikane në luftën kundër COVID-19 si dhe për marrëdhëniet Kosovë–ShBA.

Ambasadori mes tjerash ka thënë se takimi i thirrur nga i emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë është shumë i rëndësishëm për Kosovën, Serbinë dhe rajonin.

Telegrafi: I emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka thënë se zyrtarët e këtyre dy vendeve janë pajtuar për një takim në fund të muajit qershor, cili është komenti juaj?

Kosnett: Nuk kam ndonjë informacion më specifik apo detaje sesa njoftimi i ambasadorit Grenell sa i përket agjendës apo pjesëmarrjes në takim. Por, më lejo të them se unë mendoj që ky takim në Washington është një mundësi e rëndësishme për Kosovën, Serbinë dhe regjionin. Normalisht ka shumë kureshtje se çfarë do të diskutojnë liderët, çfarë mund të jetë përfundimi, do të ketë shumë spekulime dhe pyetje hipotetike prej tani e deri në kohën e takimit, dhe unë do të distancohem nga spekulimet dhe rrethanat hipotetike. Dhe dua ta theksoj se qeveria ime ka folur për këtë që një kohë të gjatë – rreth dy vite – ne mendojmë se është e rëndësishme të sjellim energji të re në procesin e diskutimeve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe në veçanti jemi të fokusuar në çështjet që do të ndikojnë në jetët e përditshme të qytetarëve. Dhe ne mendojmë që tregtia dhe zhvillimi ekonomik është i rëndësishëm për qytetarët e dy vendeve. Mendoj se këtë e kemi parë gjatë pandemisë, se të gjithë jemi ballafaquar me kërcënime internacionale, globale (që nuk ndalen nëpër kufij). Dhe qeveritë mund të jenë më së shumti efektive, kur janë të gatshme të flasin me fqinjët dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë për t’i zgjidhur këto probleme. Prandaj, do të dëshiroja që takimin në Washington ta shohim nga kjo pikëpamje, si mundësi për ta përmirësuar jetën e qytetarëve.

Telegrafi: A mund të ketë marrëveshje finale brenda këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, temë kjo që ju intereson të gjithëve në Kosovë e rajon?

Kosnett: Nuk mendoj se e dimë. Ambasadori Grenell ka thënë se nuk ka ndonjë afat…por procesi duhet të vazhdojë më shpejt dhe Kosova e Serbia kanë humbur shumë kohë përgjatë viteve dhe është në interes të dy shteteve dhe SHBA-së, por edhe partnerëve tjerë ndërkombëtarë, duke përfshirë Bashkimin Evropian që të ecim drejt veprimeve konkrete dhe sukseseve. Dhe nuk mund të them më shumë se kaq për momentin. Pra, në këtë rrugëtim do të jemi bashkë.

Telegrafi: Si e vlerësoni situatën e krijuar që brenda pak kohe kishim dy qeveri të reja të votuara në Parlamentin e Kosovës?

Kosnett: Kosova e ka një demokraci shumë aktive, vibrante dhe të përbërë nga shumë parti. Ju e dini historinë e politikës së Kosovës – politikanët vijnë e shkojnë dhe ndonjëherë nuk mbesin shumë gjatë. Unë mendoj se aspekti pozitiv i kësaj është se ka shumë parti që përfaqësojnë pikëpamje të ndryshme, elemente të ndryshme të popullsisë dhe shumëllojshmërinë e pikëpamjeve që e fusin në sistem. Tani, një gjë që dua ta them është se në Kosovë, sikurse në shtetet tjera – por edhe në SHBA, politikanët duken më të fokusuar në politikë sesa në qeverisje dhe duken më të interesuar në sulmimin dhe ofendimin e njëri-tjetrit sesa në diskutimin e politikave, dhe çfarë politika apo masa mund të jenë fitimprurëse për qytetarët e Kosovës. Por siç e thashë, kjo nuk është diçka unike për Kosovën sepse këtë problem e kemi edhe në vendin tonë. Por është një problem serioz dhe mendoj se qytetarët e Kosovës e kanë bërë të qartë gjatë tetorit të vitit të kaluar se e duan ndryshimin dhe se u intereson zhvillimi ekonomik, ju intereson luftimi i korrupsionit, ju intereson krijimi i mundësive për të rinjtë. Ne plotësisht e mbështesim këtë dhe prioritet e SHBA-së mbesin të njëjtat, pavarësisht se cilat parti e qeverisin vendin. Prioritetet tona janë për të inkurajuar paqen mes Kosovës dhe shteteve fqinje, por edhe paqen mes komuniteteve brenda Kosovës. Prioritet i joni është promovimi i zhvillimit ekonomik dhe kjo nuk përfshin vetëm investimet, por edhe energjizimi i sektorit privat. Dhe më e rëndësishmja, luftimi i korrupsionit dhe ndërtimi i sundimit të ligjit. Të gjitha këto çështje janë të ndërlidhura. Nëse duam të shohim më shumë investime të huaja në Kosovë, është e rëndësishme që investitorët të shohin se shteti është stabil politikisht dhe se është një sistem i drejtësisë të cilit mund t’i besohet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar shumë për 20 vite tani në ndërtimin e institucioneve në Kosovë. Ne kemi departamentin e drejtësisë, avokatë, kemi profesionistë nga policia dhe departamenti i shtetit, nga MCC-ja dhe agjenci tjera. Dhe puna e tyre nuk është vetëm për të hedhur para në Kosovë, por puna e tyre është t’i ndihmojnë kosovarët të ndërtojnë aftësi – aftësi ekonomike, institucione të drejtësisë, të ndërtojnë stabilitet politik, të gjejnë mënyra për t’i promovuar raportet mes komuniteteve në mënyrë që qytetarët e Kosovës ta kenë një të ardhme më të mirë, sepse sistemi që është vendosur përgjatë 20 viteve të fundit, i cili varet shumë nga ndihmat ekonomike përtej oqeanit, nuk mund të zgjatë përgjithmonë. Unë mendoj se SHBA dhe Kosova do të jenë partnerë për një kohë shumë shumë të gjatë – nuk kam ndonjë dyshim për forcën fundamentale të këtij partneriteti. Por do të forcohet vetëm nëse Kosova bëhet më pak e varur nga SHBA dhe nga partnerët tjerë ndërkombëtarë dhe është më e aftë ta zhvillojë veten për të ardhmen.

Telegrafi: Kishim një mocion të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti dhe qytetarët dolën edhe në protesta për këtë, cili është juaj?

Kosnett: Unë mendoj se është normale dhe e shëndetshme që njerëzit të marrin pjesë në protesta paqësore – kjo është pjesë e demokracisë. Qartësisht ka shumë njerëz që e kanë mbështetur qeverinë e kaluar dhe ka tjerë që nuk e kanë mbështetur qeverinë e kaluar dhe që nuk kanë votuar për Vetëvendosjen p.sh. dhe që nuk kanë qenë të lumtur me mocionin e mosbesimit. Mendoj se ajo çfarë është e rëndësishme të fokusohemi tani, është përgjegjësia e qeverisë Hoti për t’i përmbushur nevojat e qytetarëve të Kosovës. Dhe këtë e kam dëgjuar nga kryeministri dhe tjerët se e kuptojnë që pritshmëritë nga qeveria janë shumë të larta dhe besoj se ka disa hapa që LVV dhe LDK i kanë marrë, e të cilat qeveria e re duhet t’i vazhdojë. Ata nuk duhet ta hedhin poshtë menjëherë atë se çfarë ka bërë qeveria e kaluar. Normalisht se do t’i zhvillojnë politikat e tyre – veçse e kanë programin e tyre – por prapëseprapë mendoj se qytetarët e Kosovës duan zgjidhjen e problemeve, duan veprime dhe nuk duan fjalë. E kjo është e vërtetë në fushën diplomatike dhe në atë të qeverisjes. Unë dua të shtoj edhe diçka rreth kësaj. Kur njerëzit si unë flasin se çfarë i duhet Kosovës, se si duhet zgjidhur problemet e Kosovës, unë nuk dua të sugjeroj se Amerika i ka të gjitha përgjigjet sepse Amerika është duke u ballafaquar me problemet e veta sociale, me problemet e veta ekonomike – ju e dini se çështja e relacioneve të racave në SHBA është shumë më e thellë. Ne kemi qenë duke luftuar me shekuj të tërë për të provuar të ndërtojmë një shoqëri me drejtësi, barazi dhe mundësi të barabarta për secilin. Prandaj nuk dua të sugjeroj se kjo është e thjeshtë, sepse nuk është. Eksperienca ime në jetë është se njerëzit zakonisht nuk mësojnë nga gabimet e tjerëve por vetëm nga të vetat, por unë shpresoj se Kosova mund ta sheh përvojën e SHBA-së dhe ta sheh rëndësinë e zgjidhjes së këtyre problemeve. Ka shumë njerëz të bardhë e të zi që realisht asnjëherë nuk kanë pasur mundësinë ta njohin një person të racës tjetër, ka shqiptarë e serbë në Kosovë që në plot kuptimin e fjalës asnjëherë nuk janë takuar me komunitetin tjetër dhe unë mendoj se ky është problem i vërtetë për paqe dhe stabilitet në Kosovë, dhe shpresoj se liderët e Kosovës, duke i përfshirë ata të shoqërisë civile dhe liderët religjiozë, mund të gjejnë mënyra për t’i thyer barrierat mes komuniteteve.

Telegrafi: Cilat janë sfidat dhe pritjet e juaja nga Qeveria e re?

Kosnett: Siç thash më herët, ne i shohim me prioritet sfidat mbi lidhjet diplomatike mes fqinjëve, sfidat mbi zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit si të ndërlidhura. Prandaj, unë mendoj se përpjekja për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë dhe shtetet tjera fqinje ka implikime direkte – implikime pozitive – për ekonominë. Tani çështjet urgjente të brendshme janë luftimi i pandemisë, gjetja e mënyrës për ta rindërtuar ekonominë – gjë e cila veçse ka qenë sfidë edhe para pandemisë. Unë mendoj se Qeveria e Kosovës është duke u ballafaquar me një problem me të cilin po ballafaqohen të gjitha vendet e botës – si të balancohet sfida e shëndetit publik, si të mbahen qytetarët të sigurt dhe të zhvillohet ekonomia. Kjo është sfidë e madhe për SHBA-të dhe është sfidë e madhe për Kosovën. Tani unë duhet të them, dhe nuk po flas si diplomat i huaj, por si banor i Prishtinës sepse këtu e kam familjen, qentë, koleksionin e librave dhe gjithçka, se unë mendoj që qytetarët mund të bëjnë më shumë për ta luftuar pandeminë. Askush nuk është duke mbajtur maska, askush nuk po i kushton vëmendje distancës sociale dhe e kuptoj nevojën për ta rihapur ekonominë sepse nuk mund t’i mbajmë bizneset mbyllur përgjithmonë, por ka hapa që qytetarët si individë mund t’i bëjnë për ta mbrojtur veten, tjerët, familjen dhe fqinjët. Dhe mendoj se të gjithë duhet të jemi të disiplinuar dhe vigjilentë në të ardhmen. Tani, SHBA, njësoj sikurse miqtë tjerë ndërkombëtarë, është duke i ofruar asistencë Kosovës – kemi ofruar para, kemi ofruar më shumë se 1.6 milion dollarë, kemi ofruar pajisje dhe shpresojmë se do të ofrojmë më shumë në të ardhmen, ka pasur konsultime profesionale, etj. Ne duam ta ndihmojmë Kosovën, por nuk mund ta kryejmë punën për Kosovën. Prandaj qeveria dhe qytetarët e Kosovës duhet ta bëjnë punën e tyre për ta luftuar pandeminë. Njësoj sikurse në çdo shtet tjetër, kjo është detyrë për qytetarët.

Telegrafi: Pandemia COVID-19 do të krijojë probleme në aspektin ekonomik dhe SHBA-të kanë ndihmuar Kosovën, por në cilat fusha, pak më në detaje?

Kosnett: Ne kemi qenë shumë transparent sa i përket kësaj. Agjencitë e SHBA-së për zhvillimet ndërkombëtare në departamentin e shtetit, kanë ofruar asistencë financiare, kemi ofruar asistencë konkrete në format si pajisjet e pastrimit, pakot mjekësore apo për komunitetet, qendrat e komuniteteve, e di që personeli amerikan kanë folur me Ministrinë e Shëndetësisë. Madje edhe stafi i politikave publike në ambasadën tonë ka shkëmbyer ide me ata të Ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë që të diskutohet se si të përçohet mesazhi me efikasitet. Mendoj se në të ardhmen do të mundemi të dhurojmë edhe pajisje tjera shtesë. I gjithë planeti është zënë në befasi dhe është tronditur nga pandemia dhe po merr kohë që t’i vëmë në dispozicion kapacitetet industriale të botës për t’u siguruar që kemi mjaftueshëm pajisje, që spitalet kanë mjaftueshëm pajisje, etj. Mendoj se në javët dhe muajt e ardhshëm ne do të shohim edhe më shumë bashkëpunime ndërkombëtare sa i përket kësaj çështje.

Telegrafi: Lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar mbetet njëra nga sfidat në Kosovë, ku duhet Kosova të fokusohet më konkretisht?

Kosnett: Unë mendoj se publiku dëshiron veprime dhe dëshiron veprime shpejt! Unë besoj se kryeministri Hoti këtë çështje e merr me mjaft seriozitet, por të shohim se çfarë do të ndodhë. Kur flas për korrupsion – meqë ra fjala, ambasada jonë ka folur shumë për luftimin e korrupsionit dhe sundimin e ligjit, ka qenë një prej problemeve kryesore tona përgjatë viteve të fundit – nuk jam duke folur vetëm për korrupsionin në shkallë të larta ku njerëzit vjedhin miliona dollarë dhe i vendosin në banka të Zvicrës, në Ishujt Kajman apo diku tjetër, por po flasim edhe për nepotizmin. Nuk është sekret se shumica e të rinjve në Kosovë mendojnë se nuk ka rëndësi se çfarë edukimi kanë sepse nëse nuk i kanë lidhjet familjare apo politike ata nuk do të kenë mundësi. Qeveria duhet të merret me këtë. Dhe mendoj që nuk ka më durim nga publiku. Kur jam rikthyer në Kosovë para një vit e gjysmë, ka pasur njerëz në botën e politikës që kanë thënë se “po, e dimë se duhet ta luftojmë korrupsionin, por duhet të kuptoni se do të merr kohë disa vite”. Nuk mendoj se njerëzit e Kosovës e kanë më atë durim. Prandaj, qeveria vërtet se duhet ta merr lidershipin dhe të sigurohet se të punësuarit në pozita qeveritare janë të kualifikuar, të sigurohen se lidhjet mes zyrtarëve dhe rrjeteve kriminale nuk tolerohen. Qeveria e SHBA-së, sikurse partnerët tjerë ndërkombëtarë, luajnë një rol dhe mendoj se mund të vazhdojmë të punojmë, njësoj sikurse në të kaluarën, të punojmë me qeverinë e Kosovës për të krijuar udhëzime të punësimit, në mënyrë që qeveria të punësojë vetëm njerëz të cilët e meritojnë përmes një procesi krejtësisht transparent. Por si ambasador i huaj, unë nuk dua t’i them qeverisë me emra se duhet ta punësojnë këtë burrë apo këtë grua. Nuk është puna ime dhe nuk planifikojë t’ua jap ndonjë letër me emra kryeministrit. Mendoj se qeveria duhet të merr përgjegjësi për zgjidhjen e këtyre problemeve. Dhe është e vështirë në një sistem politik ku njerëzit u bëjnë shumë premtime njerëzve tjerë. Kjo duhet të ndryshojë.

Telegrafi: A do të përkrahë Ambasada e ShBA-ve një vetting të mundshëm në sistemin e drejtësisë?

Kosnett: Nëse qeveria na fton që të jemi më të përfshirë në mënyrë direkte në zhvillimin e sistemit të Vettingut, atëherë me kënaqësi do të marrim pjesë në këtë proces. Ne i kemi ekspertët në ambasadë që e bëjnë këtë punë. Këtë mund ta bëjmë në partneritet me qeverinë dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, siç janë britanikët. Miqtë tanë britanikë kanë qenë të përfshirë në Vetting për disa vite me radhë. Ka shumë mënyra sa i përket Vetting-ut, por pika kyçe është të sigurohemi se njerëzit po punësohen për shkak të kualifikimeve dhe jo për shkak të lidhjeve, dhe se ka një politikë me zero tolerancë ndaj keqpërdorimeve dhe korrupsionit. Dua ta them se kryeministri Hoti dhe pjesëtarët tjerë të qeverisë më kanë thënë shumë hapur se planifikojnë ta sulmojnë këtë problem në mënyrë shumë të drejtpërdrejt dhe unë e mirëpres këtë.

Telegrafi: Si i vlerësoni marrëdhëniet Kosovë- ShBA dhe a ka pasur mosmarrëveshje në këto marrëdhënie?

Kosnett: Mendoj se lidhjet fundamentale mes SHBA-së dhe Kosovës janë të forta si guri. Nuk kam dyshim se Kosova dhe SHBA do të mbesin partnerë të afërt në të ardhmen. Nuk kam dyshim fare. Mendoj se natyra e partneritetit do të evolojë dhe kjo është natyrale. Së pari kam jetuar në Kosovë në vitin 2003, menjëherë pas lufte, kur shteti ka qenë në formë të tmerrshme në aspektin ekonomik. Kur jam rikthyer në 2018, jam impresionuar me të gjithë progresin që kam parë dhe në veçanti me gjeneratën e të rinjve – të edukuar, njohës të gjuhëve të huaja, njerëz që mund të jenë të suksesshëm në çdo vend të botës dhe që duan ta ndërtojnë të ardhmen në Kosovë. Progresi në Kosovë ka qenë rezultat i punës së madhe të njerëzve të Kosovës, por SHBA dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë kanë kontribuar për këtë. Të gjitha përpjekjet tona bashkëpunuese me Kosovën, e gjithë asistenca jonë, ka qenë e menduar që ta ndihmojë Kosovën të qëndrojë në këmbë të veta, sikur partner i barabartë i SHBA-së dhe më pak e varur. Kjo është e ardhmja që e shohim për Kosovën.

Më pyetët se a kemi mospajtime – sigurisht se kemi mospajtime. Kemi mospajtime ndonjëherë dhe kjo është e qartë, por kjo është normale në një partneritet. Është normale në familje, është normale në relacionet mes shteteve. Mendoj se ndonjëherë qytetarët e Kosovës brengosen shumë për këtë dhe mendojnë se SHBA-të do ta braktisin Kosovën, por nuk duhet të mendojnë kështu. Gjithashtu është e rëndësishme që qytetarët të mos frikësohen të marrin hapa drejt të ardhmes. Kjo është përpjekja jonë për t’ia filluar, duke i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë. Ne po i kërkojmë Kosovës të bëjë hapa drejt të ardhmes dhe ne do të jemi me juve kur e bëni këtë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme