Ambasadori malazez: Podgorica s’ka qëndrim të ri për Demarkacionin

Prishtinë | 04 Dhj 2017 | 13:41 | Nga
Ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha në një prononcim për KALLXO.com duke folur në lidhje me raportin e Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, tha se Podgorica zyrtare nuk ka qëndrim të ri për demarkacionin.
“Mali i Zi nuk ka qëndrim të ri. Mali i Zi nuk ka raport të ri të komisionit. Kjo është punë e institucioneve të Kosovës. Ne të do të vazhdojmë të jemi në kontakte të mira me institucionet e Kosovës edhe për këtë çështje edhe për çdo çështje tjetër”, tha ambasadori Dinosha.

Ambasadori i Malit të Zi tha se në këtë fazë nuk mund të diskutohet, pasi po presin se çka do të ndodhë në Kuvendin e Kosovës.

Sot para Qeverisë ka raportuar Komisioni për shënjimin e vijës kufitare, ku ka përsëritur se Marrëveshja e arritur me Malin e Zi i humb territor Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës e ka dërguar në Kuvend marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi së bashku me raportin e Komisionit të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi.

Çështja e Demarkacionit ka mbi 2 vite që është nënshkruar dhe ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Me të ardhur në krye të Qeverisë, Ramush Haradinaj kishte shkarkuar Komisionin me në krye Murat Mehën dhe kishte emëruar në krye të saj Shpejtim Bulliqin.

Zyrtarët e BE-së shumë herë kanë deklaruar se ratifikimi i kësaj Marrëveshjeje është kushti kryesor që Kosova të merr liberalizmin e vizave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme