Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Kyle Scott, tha në fund të mandatit të tij tre vjeçar se Serbia dhe SHBA nuk ndajnë të njëjtin qëndrim për Kosovën, por pajtohen që e vetmja rrugë për përparim është vazhdimi i dialogut dhe arritja e një marrëveshje të ndërsjellë për normalizimin.
“SHBA kohët e fundit caktoi një të dërguar special për Ballkanin Perëndimor dhe ai është i përkushtuar të ndihmojë të dy palët të ecin përpara. Vetëm se, ne nuk mund ta duam më shumë se ju në rajon”, ka thënë Scott në një intervistë lamtumire për mediumin serb Blic.
Ai përsëriti që Serbia duhet të ndalojë lobimin për tërheqjen e njohjes së Kosovës, duke shtuar se nuk e kuptonte se si “poshtërimi” i partnerëve negociues mund ta ndihmojë arritjen e një marrëveshje.
“Fushata e tërheqjes së njohjeve nuk ndihmon për t’i rikthyer të dy palët në tryezën e bisedimeve, e as taksa e vendosur nga Prishtina”, citohet të ketë thënë Scott.
Ai shtoi se SHBA nuk ka asnjë problem me marrëdhëniet e mira midis Serbisë dhe Rusisë, por se “vizioni i Rusisë për Serbinë dhe këtë rajon nuk është i njëjtë me të SHBA-së ose BE-së”. /Telegrafi/