Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Italisë në Republikën e Kosovës, Piero Cristoforo Sardi.
Në takimin e përbashkët u bisedua për marrëdhëniet e Kosovës dhe Italisë duke u cilësuar si shumë të mira, për identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit si dhe u shpreh një zotimi i sinqertë për intensifikimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sidomos në fushën e sigurisë.
Berisha e njoftoi mysafirin mbi të arriturat e FSK-së, stadin aktual të zhvillimit dhe planet për të ardhmen. Ai tha se FSK-ja është duke u respektuar jashtëzakonisht shumë nga qytetarët e vendit. Është bërë atraktive dhe e dëshirueshme edhe nga të rinjtë nga radhët e komuniteteve, si dhe po dëshmon me sukses se do të jetë forcë garantuese e prosperitetit të vendit tonë.
Nga ana e tij, ambasadori Sardi shprehu interesim për progresin e arritur në çdo fushë në Kosovë, si dhe u shpreh gjithashtu i gatshëm për inicimin dhe shtyrjen përpara të agjendës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian.