FSK-ja me të gjitha kapacitetet në Shqipëri, e gatshme të intervenojë në rast tërmeti edhe në Kosovë

Prishtinë | 26 Nën 2019 | 12:28 | Nga Pranvera Behluli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Rustem Berisha, tha se pas tërmetit në Shqipëri, menjëherë i kanë dërguar ekipet e kërkim-shpëtimit atje për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të Shqipërisë.

Ai në një prononcim për Ekonomia Online tha se në Shqipëri janë dërguar edhe skuadrat që janë të stërvitur për kërkime në gërmadha e shembje të ndërtesave.

“Ne në mëngjes i kemi marrë informacionet zyrtare për tërmetin dhe situatën që është krijuar pas tërmetit në Shqipëri dhe që nga ora 06:00 e mëngjesit njësitë e tona të kërkim-shpëtimit janë në gatishmëri për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të Shqipërisë. Në ora 09:00 janë kryer të gjitha procedurat e parapara për dislokimin e njësive gjatë vendit dhe janë marrë të gjitha autorizimet e parapara që njësitë të lëvizin në drejtim të Shqipërisë”.

“Në kuadër të kontingjentit të parë që kanë shkuar janë kryesisht njësitë e specializuara, njësitë e kërkim-shpëtimit urban, janë tri skuadra dhe është një skuadër K9 që janë qentë të cilët janë të stërvitur për kërkim në shembje të ndërtesave, gërmadhave. I kemi dërguar edhe ekipin mjekësorë, por jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Shqipërisë dhe krahas kërkesave dhe situatave të ndryshme jemi të gatshëm të ndërhyjmë dhe t’i dislokojmë edhe forcat tjera me qëllim që t’iu dalim në ndihmë qytetarëve të Shqipërisë”.

Ai ka thënë se ekipet e kërkim-shpëtimit janë të stërvitur dhe përgatitur shumë mirë derisa ka treguar se edhe vendet e rajonit i dërgojnë pjesëtarët e tyre për stërvitje në Kosovë.

“Njësitin e kërkim-shpëtimit e kemi shumë të përgatitur dhe të stërvitur, mund të them që është më i miri në rajon dhe të gjitha shtetet e rajonit i dërgojnë prestarët e vet në stërvitje tek ne, ata janë të stërvitur edhe për kërkim-shpëtim urban në male, në ujëra dhe vërtetë është një njësi që na bënë të ndihemi mirë edhe që janë shumë të përgatitur për të intervenuar në situata të tilla”.

E, duke folur për kapacitetet ekzistuese në rast të ndonjë tërmeti në Kosovë, Berisha tha se janë ekipet emergjente të cilat mund ta menaxhojnë situatën.

Ai tha se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme në rast të ndonjë tërmeti.

“Unë mendoj që nuk do të jetë vetëm njësia e kërkim-shpëtimit dhe FSK-ja, por ne kemi edhe kapacitetet tjera që janë njësitë emergjente në kuadër të Policisë së Kosovës dhe i kemi të ndërtuar që mund ta menaxhojnë situatën, dashtë Zoti që mos të ndodhë kurrë, por edhe nëse ndodhë ne kemi kapacitete të mjaftueshme që ta menaxhojmë këtë situatë”, tha Berisha për Ekonomia Online.

Të ngjashme