Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) të premten ka mbajtur konferencë me temën “Ndikimi i dialogut me Serbinë në politikën e jashtme të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI, tha se për shumë vjet e kanë ndihmuar këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin.
“KDI tash e pesë vite ka punuar për çështjen e dialogut, ku ka ndihmuar punën e kuvendit dhe duke asistuar vizitat në terren për të parë marrëveshjet e arrira në dialog”.
“Ne poashtu kemi promovuar pjesëmarrjen e eksperteve dhe qytetarëve në këtë proces, duke ndërmjetësuar në këtë proces”.
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, theksoi se politika e jashtme ka pasur ndikim te secili qytetar, duke e cilësuar si proces të rëndësishëm dialogun për Kosovën në të gjitha proceset e vendit.
“Mendoj se është politika e jashtme ajo që ka pasur ndikim te secili qytetar. E kemi proces të rëndësishëm të dialogut për Kosovën e që monitorohet nga Bashkimi Evropian, por edhe marrëveshje të shumta”.
Në kuadër të kësaj konference u bë edhe prezantimi i raportit mbi tematikën e dialogut ku Eugen Cakolli, hulumtues në KDI tha se pozicionimi i faktorit ndërkombëtar ka pasur rëndësi të madhe në krejt këtë proces.
Ai e cilëson si jo shumë shpresëdhënës situatën e tanishme që ka të bëjë me dialogun.
“Pozicionimi i faktorit ndërkombëtar ka pasur shumë rëndësi tek ky proces. Situata e tanishme nuk duket aspak shpresëdhënëse e sidomos për Kosovën. Rrezik tjetër i një situate është edhe raporti i Kosovës me aleatët ndërkombëtar nëse do të sforcoheshin, për çka do të mund të kishte ndikime në sfera të shumta e ndër to ai financiar”.
“Rrezik tjetër që ballafaqohet Kosova është vendosja në prioritetet e fundit tek ndërkombëtarët për procesin e dialogut”.
Tema mbi dialogun ka vazhduar edhe me diskutimin e të pranishmëve nga parti të ndryshme politike, raporton Ekonomia Online.
Shqipe Mjekiqi, nënkryetare e LDK-së tha se dialogu do të duhej të përmbyllej me një marrëveshje gjithëpërfshirëse ku do të sillte njohjen e Kosovës si shtet.
“Do doja që edhe nga Pozita të ishin prezent dhe së pari të dëgjonim nga ta, gjithsesi më e rëndësishme për ne është se ne e shohim si shumë të rëndësishme këtë proces, ku me një marrëveshje gjithëpërfshirëse të sjellim një njohje për Kosovën”.
Mjekiqi poashtu tha se e kanë parë me shumë rezervë pozicionin e kësaj Qeverie karshi dialogut dhe mungesën e komunikimit.
“Nuk shoh që ka shumë dallime në vija të trasha nga partitë politike se çfarë mund të sjell dialogu, por që e kemi parë me rezerva komunikimin e Qeverisë me qytetarët dhe të tjerët mbi dialogun dhe qasja e kësaj qeverie karshi dialogut”.
Bernard Nikaj, sekretar për marrëdhëniet ndërkombëtare në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) theksoi se Kosova nuk ka një politikë të jashtme të hartuar dhe të koordinuar.
“Kosova nuk ka një politikë të jashtme të hartuar dhe të koordinuar, dhe është në një situatë të pa definuar. Integrimi në Bashkimin Evropian është një politikë afatgjate dhe duhet bërë së më shpejtë që është e mundur”.
“Politika jonë e jashtme në raport me BE-në ka qenë gjithmonë me atë se çfarë po bëhet dhe çfarë mund të arrihet në procesin e dialogut. Është shumë e rëndësishme që të shihet si një rrugë dhe drejtim i rëndësishëm për vendin”.
“Sa i përket PDK-së ne besojmë që angazhimi i qeverisë është i domosdoshëm në këtë proces të dialogut, dhe shpresojmë që qeveria të sjell një marrëveshje që do të rezultojë me njohje të dyanshme”.
Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli tha se dialogu dhe komunikimi ndërmjet të dy shteteve nuk duhet të ndikoj në raportet me ndërkombëtarët, raporton EO.
“Dialogu është çështje bilaterale në mes dy shteteve duke u munduar t’i zgjedhin problemet mes vete dhe kjo nuk duhet të na pengoj në raportet që kemi me marrëdhëniet me jashtë. Jemi duke reformuar tërësisht shërbimin e jashtëm. Ka politikë të jashtme pa dialogun dhe tashmë duhet të shohim punën tutje.
Demush Shasha, drejtor i Institutit EPIK tha se dialogu sa mund të jetë integrues dhe i mirë, mund të jetë edhe i dëmshëm duke theksuar që aty ku preket shtetësia e vendit mund të jetë i dëmshëm. “Dialogu dominon procesin integrues të vendit. Dialogu mund të jetë shumë i dëmshëm por mund të jetë shumë i mirë. Ka qenë shumë i dëmshëm që vënë në dyshim shtetësinë tonë, por paoshtu ai është shumë i dobishëm sepse ka rol të rëndësishëm. Jam optimist për dialogun sepse kemi një mazhorancë që mund të luaj rol në këtë proces, dhe një pozitë që mund të ndikoj këtu pra situata është unike”