Ambasadorja e Kosovës në Itali: Vatikani do ta njohë Kosovën

Prishtinë | 01 Jan 2018 | 13:21 | Nga

Ndonëse është një shtet i vogël, njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Vatikanit mund të luaj një rol të rëndësishëm për shtetin tonë. Mirëpo, a mund të ndodhë një gjë e tillë, këtë e shpjegon diplomatja kosovare në Romë, Alma Lama.

Në një intervistë për “Indeksonline”, ajo ka treguar se në Parlamentin Italian kanë arritur ta kenë një Dhomë të Tregtisë e cila ka sjellë investitorë të shumtë nga Italia në Kosovë.

Poashtu, Lama ka folur edhe për çështjen e Vatikanit rreth asaj se a ka mundësi ta njohë Kosovën? Sipas saj, ka shumë arsye që kjo njohje të vjen sa më shpejt. Ajo thotë se Kosova e ka ruajtur gjithnjë tolerancën fetare, me këtë rast, njohja nga Vatikani është më se e merituar.

Ambasadorja kosovare ka treguar edhe arsyen e përplasjes verbale me ambasadorin serb në Universitetin La Sapienza në Itali në konferencën me temën “rreth luftës dhe dëmtimit të trashëgimisë kulturore në ish-Jugosllavi”.

Kjo përplasje ka ardhur pasi Lama ka vërejtur se aty po sulmohej Kosova dhe Kroacia.

E pa dyshim aty s’ka munguar reagimi i ashpër i Lamës.

Intervistën e plotë e keni më poshtë me ambasadoren nga Kosova në Itali, Alma Lama:

Cilat janë të arriturat e diplomacisë Kosovare?

Ambasadorja kosovare në Itali: Fusha e diplomacisë është mjaft e komplikuar dhe shumë vështirë e matshme. Veçanërisht është vështirë e matshme për syrin e publikut, pasi diplomacia për nga natyra është më shumë konfidenciale, edhe pse sot, me rritjen dramatike të mjeteve dhe mundësive të komunikimit, diplomacia publike zë një vend shumë të rëndësishëm dhe padyshim mund të thuhet se ajo ka ndryshuar vetë natyrën e diplomacisë, pasi e ka bërë atë shumë më transparente.

E them këtë sepse sot, mjetet e reja të komunikimit, i kanë dhënë mundësi çdo diplomati, nga çdo cep i planetit të shprehë qëndrimet e shtetit të tij, dhe audienca e tij të jetë globale. Një gjë e tillë padyshim ka një efekt krejt tjetër në marëdhëniet ndërkombëtare, krahasuar me ato të mëparshmet, kur qëndrimet ishin monopol i ministrive të jashtme, të cilat komunikonin me homologët e tyre në një mënyrë shumë të përcaktuar. Për nga pozita që mbaj, nuk më takon të flas shumë për arritjet e diplomacisë së Kosovës, edhe pse kam opinionin tim, por mund të flas për arritjet këtu në misionin që unë përfaqësoj, pra në Itali, Maltë dhe San Marino, që janë shtetet ku jam e akredituar.

Tashmë i kam bërë një vit që kur e kam nisur mandatin tim këtu në Itali dhe mund të them se ka qenë një vit me plot punë, angazhime dhe pse jo edhe arritje përsa i përket përforcimit dhe intensifikimit të raporteve në të shumë fusha.

Tashmë si rezultat i punës që unë se bashku me diplomatët e ambasadës, kemi bërë gjatë këtij viti, kemi një grup mjaft të madh të miqësisë në Parlamentin Italian; kemi një Dhomë të Tregtisë me investitorë italianë që është gjithnjë e më shumë duke u zgjeruar dhe kanë bërë edhe disa vizita në Kosovë, dhe ne shpresojmë që do të finalizohen me projekte investuese; kemi një listë mjaft të zgjeruar të personaliteteve në fusha të ndryshme që i kemi futur në rrethin e miqve të Kosovës; kemi bërë konferenca me rëndësi për promovimin e Kosovës në rrafshin politik dhe diplomatik, në rrafshin ekonomik dhe atë të trashëgimisë kulturore; kemi organizuar disa vizita të krerëve më të lartë të shtetit të Kosovës këtu në Itali dhe Maltë, dhe po ashtu Kosova është përfaqësuar në mënyrë të sukseshme në forumet e përbashkëta të nivelit më të lartë europian, siç ishte Samiti i Triestes për Balkanin Perëndimor, ku ambasada ka pasur një rol mjaft të rëndësishëm.

A ka mundësi që Vatikani ta njohë Kosovën si shtet?

Lama: Unë zyrtarisht nuk e mbuloj Selinë e Shenjtë, kështu që nuk kam zhvilluar kontakte zyrtare të nivelit diplomatik. Natyrisht, si për çdo shtet që ende nuk na ka njohur, jam përpjekur të gjej rrugët e lobimit indirekt, pasi njohja nga Selia e Shenjtë ka një fuqi simbolike, shumë më të madhe sesa thjesht shtimi i numrit të njohjeve.

Ne si shtet dhe si popull kemi raporte të shkëlqyer me Vatikanin, zyrtarët e Kosovës, janë pritur në takimet e nivelit më të lartë nga Selia e Shenjtë, mirëpo ende njohja formale nuk ka ndodhur, dhe unë shpresoj që kjo mos të zgjasë për shumë kohë.

Unë besoj se meqë jemi pjesë e një kombi që është i pari që ka përqafuar krishtërimin dhe megjithë ndryshimet dramatike përgjatë shekujve, kemi ruajtur tolerancën fetare; meqë jemi pjesë e një kombi që i ka dhënë botës dy figura të mëdha siç është Skenderbeu i cilësuar si “Atlet i Krishtit” e si mbrojtës i civilizimit përendimor nga errësira e pushtimit otoman; meqë jemi një komb që i kemi dhënë botës Nënë Terezën, përfaqësuesen më të madhe dhe më të denjë të humanizmit, e meritojmë njohjen e pavarësisë së shtetit tonë nga Selia e Shenjtë dhe besoj se ajo do të vijë.

Cila ka qenë arsyeja kryesore e përplasjes verbale me ambasadorin serb?

Ambasadorja Lama: Të them të drejtën, ishte një situatë shumë e tensionuar. Por për ta kuptuar këtë, së pari duhet shpjeguar se si erdhi puna deri tek kjo përplasje. Para dy muajsh në Universitetin La Sapienza, që është më i madhi në Itali, u zhvillua një konferencë me temë rreth luftës dhe dëmtimit të trashëgimisë kulturore në ish-Jugosllavi, e cila ishte një bashkëpunim ndërmjet këtij universiteti, një universiteti Serb dhe një të Katalonias.

Unë u njoftova me programin e kësaj konference dhe pashë se aty, në bazë të titullit të referateve, do të sulmohej Kosova dhe Kroacia, përsa i përket trashëgimisë kulturore dhe fetare, ndërkohë që ne si palë nuk ishim ftuar për të marrë pjesë. Fillimisht reagova nëpërmjet një letre tek rektori i këtij Universiteti dhe pas disa takimesh, edhe në bashkëpunim me Ambasadën e Kroacisë, që gjithashtu akuzohej fort nga përfaqësuesit e universiteti serb për shkatërrim të trashegimisë, u vendos të mbahej një konferencë ku do të thirreshin për të sjellë referatet e tyre ekspertë nga Kosova dhe Kroacia, për të treguar të vërtetat tona shkencore, që padyshim rrëzonin propogandën që u bë nga përfaqësuesit e Universitetit serb. Dua të theksoj se nuk nuk iu ndërhymë aspak kuar ata zhvilluan konferencën dhe hodhën akuza shuëm të rënda për Kosovën, por vendosëm t’iu përgjigjemi në mënyrë shkencore.

Atë ditë kur u zhvillua konferenca jonë, në sesionin ku u fol për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës nga manipulimet e shumta të historisë dhe për mënyrën se si këto manipulime janë shfrytëzuar për ta përetësuar këtë trashëgimi por edhe territorin, u shfaq ambasadori serb, i cili erdhi i paftuar. Në përmbyllje të konferencës, e cila gjithsesi ishte e nivelit akademik, ambasadori serb insistonte të merrte fjalën, gjë që edhe iu mundësua nga profesori që drejtonte konferencën.

Mirëpo në vend që ai të jepte një koment nga vendi ku ishte ulur, u çua me arrogancë dhe doli përpara të pranishmëve, a thua se ishte panelist. E konsiderova të papranueshëm një veprim të tillë, pasi kjo nuk ishte një konferencë që e kishte organizuar Serbia, për me tepër Ambasada e Serbisë në Beograd. Dhe situata u tensionua, kur ai filloi të fliste për Kosovën.

Natyrisht, unë si përfaqësuese e Kosovës, nuk mund të rrija duarkryq e të dëgjoja sërish propogandën e tij në dëm të Kosovës, kështu që në mënyrë të natyrshme i reagova në fjalën e tij, jo njëherë por disa herë, duke kërkuar që të mos fliste për Kosovën pasi nuk ishte punë e tij.

Tek e fundit kjo ishte një konferencë shkencore, ku ambasada jonë, i la duar të lira ekspertëve, duke respektuar plotësiht lirinë akademike, pa ndërhyrë politikisht tek përmbajtja e prezantimeve. Ndërsa ambasadori i Serbisë në Itali, u shfaq pa asnjë konsideratë për njerëzit e shkencës, duke tentuar të bënte atë që bëjnë gjithmonë politikanët serbë, të gënjejnë.

Nuk është diçka e zakonshme që dy ambasadorë të përplasen në mënyrë të tillë nëpër audienca, sidomos në një Universitet, apo, mirëpo nuk pata rrugë tjetër përvçse të ndërhyja në fjalën e tij, për të mos lejuar plasimin e të pavërtetave.

Për fat, nuk isha vetëm unë që reagova por edhe të pranishmit e tjerë, përfshirë edhe një senator, profesorë dhe nga salla.

Nuk besoj se ai la një përshtypje të mirë para të pranishmeve, dhe as për organizatorët e konferencës, të cilët u irrituan nga arroganca etij, dhe besoj se leksioni që ai e mori dhe do t’i shërbejë në të ardhmen është se ka përenduar koha kur serbët impononin agjenda kundër Kosovës.

Sa keni arritur që të sillni investitorë nga Italia për Kosovën?

Lama: Siç e thashë më sipër, jemi në një fazë mjaft dinamike të promovimit të Kosovës në fushën ekonomike edhe këtu në Itali. Duhet pranuar se investitorët nuk kanë shumë informacion për Kosovën, apo kanë një imazh të gabuar për të. Prandaj unë jam shumë e fokusuar që ne të përmirësojmë imazhin, të heqim imazhin e një shteti në konflikt, dhe të promovojmë Kosovën si një vend me plot mundësi për të investuar. Janë plot të interesuar për të vendosur bashkëpunim, por proceset politike në Kosovë, veçanërisht dy proceset zgjedhore sikur i kanë ngadalësuar pak punët.

Ne këtu kemi organizaur disa forume me investotorë, kemi në plan të vazhdojmë menjëherë duke filluar nga janari, dhe shpresoj që me përfundimin e dimrit do të kemi edhe rezultatet e para. Mirëpo duhet që gjithsecili të kuptojë, që ambasada është vetëm hapi i parë, pjesa tjetër e bashkëpunimit i takon institucioneve në Kosovë, të cilat duhet të

tregohen të hapura për t’i mbështetur investitorët e huaj, veçanërisht në hartimin e politikave konkuruese me vendet e rajonit. Po ahtu ne si ambasadë do këtë përpiqemi të promovojmë edhe prokukte e Kosovës, këtu në Itali, nëpërmjet aktiviteteve apo panaireve të ndryshme.

Cilat mendoni se do të jenë sfidat kryesore që do të përballeni gjatë vitit të ardhshëm?

Lama: Ajo që nuk përmenda deri tani ka të bëjë me lobimin në lidhje me shtetet që nuk na njohin si dhe organizatat ndërkombëtare ku duam të anëtarësohemi. Këtu në Romë, janë të akredituar pothuajse të gjitha shtetet, kështu që mundësia për lobim për njohje është e madhe, edhe pse askush nuk duhet të krijojë ndonjë iluzion se ky është një proces që prodhon lehtë rezultate. Unë gjatë këtij viti që po lëmë pas kam takuar me dhjetra ambasadorë të vendeve që nuk e njohin Kosovën, kam biseduar me ta, iu kam shpjeguar rrethanat dhe arsyet pse duhet të na njohin dhe kam kërkuar prej tyre që komunikojnë me vendet përkatëse.

Po ashtu kur kemi pasur situata të ndjeshme, jam marrë shumë shpesh me lobim për sigurimin e votave për organizatat ndërkombëtare, që gjithashtu nuk është punë e lehtë pasi është një proces që kërkon koordinim si me qendrën, ashtu edhe me të gjitha ambasadat e Kosovës. Besoj se kjo sfidë, do të vazhdojë edhe vitin që vjen. Unë veç i kam përgatitur disa materiale dhe jam duke planifikuar t’i prezantoj nëpër forume diplomatike përsa i përket njohjeve. Po ashtu jam duke planifikuar që vitin e ardhshëm të merrem edhe me promovimin e kulturës, si një mjet mjaft efikas për të depërtuar tek shtetet jo njohëse. Pjesa tjetër e punës mbetet varësisht prej sfidave me të cilat do të përballemi si shtet dhe që do të na duhet të tregohemi aktivë. E rëndësishme është të theksoj se si Italia, ashtu edhe Malta dhe San Marino, deri tani na kanë përkrahur në çdo iniciativë diplomatike.

Cili është mesazhi juaj për Vitin e Ri, 2018?

Lama: Mesazhi im për Vitin 2018 është që së pari Kosova të përparojë dukshëm, si në aspektin e zhvillimeve të brendshme demokratike, ashtu edhe në raport me shtetet e tjera. Pres që procesi i liberalizimit të vizave përfundimisht të zhbllokohet, ashtu sikurse pres që njohje të tjera të na vijnë, për ta forcuar kështu shtetësinë e Kosovës edhe nga jashtë. Pres që të kemi rritje ekonomike dhe vendosmëri për ta krijuar atë. Dhe në fund të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim do t’iu uroja një vit të mbarë dhe të lumtur.

Me kënd dhe ku do ta pristni Vitin e Ri?

Lama: Vitin e Ri do ta pres këtu në Romë, së bashku me familjen time, me gëzimin se do të kem më shumë kohë të kaloj me fëmijët.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme