Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri: Mos u habisni nëse disa kandidatë skualifikohen nga listat

Prishtinë | 10 Mar 2021 | 17:10 | Nga Ekonomia Online

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim ka dhënë një mesazh të fortë nga Elbasani pas takimive që zhvilloi me drejtuesit politikë në atë qytet.

Duke folur për gazetarët, ambasadorja Kim u shpreh e qartë kur foli për blerjen e votave, për të cilat tha se është një shkelje e ligjit nga kushdo që e bën dhe nuk do të tolerohet.

“Kam dëgjuar që blerja e votës është problem në Elbasan, dhe jo veëm në Elbasan. Atyre që blejnë votën do t’ju thoja jeni duke shkelur ligjin dhe jeni duke turpëruar vendin tuaj. Atyre që u kërkohet t’u blihet vota do t’u thoja vota juaj është pushteti juaj”.

Ambasadorja amerikane nuk përjashtoi as mundësinë që disa prej kandidatëve për deputetë të skualifikohen.

“Nuk është për t’u habitur nëse disa prej disa kandidatëve mund të skualifikohen. Këtu qëndron fuqia përfundimtare, qëndron te votuesit”.

Duke folur për kandidatët e ndaluar në lista, Kim u shpreh se ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të ndalohen personat që përbëjnë rrezik për sigurinë.

“Janë 3 njerëz që Sekretari i Shtetit të SHBA ka përcaktuar, nuk do i përmend emrat e tyre dhe nuk do dalin nga goja ime, por mund t’ju mund t’i shihni dhe do t’i gjeni. Kjo ka të bëjë me faktin që nëse Sekretari i Shteti të SHBA ka përcaktuar në bazë të hulumtimeve që ky person përbën kërcënim për sigurinë e SHBA, ka ardhur koha që shqiptarët të mendojnë se kjo përbën kërcënim edhe për shtetin shqiptar”.

Ndër të tjëra, Yuri Kim theksoi rëndësinë e kandidatëve të pastër dhe bëri thirrje që zgjedhjet të jenë sa më shumë demokratike. Një tjetër element i rëndësishëm që u përmend nga Kim, është edhe ndalimi i celularit në qendrat e votimit, për të cilën tha se KQZ nuk do ta lejojë. (tvklan.al)

Të ngjashme