Franca dhe Gjermania do të vazhdojnë ta mbështesë procesin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili është pezulluar në dhjetor të vitit 2020, për shkak të situatës me pandeminë COVID-19 si dhe zhvillimeve fundit në politikën kosovare.
Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, në një intervistë ekskluzive për klankosova.tv ka thënë se gjëja më e rëndësishme është që dialogu në vetvete të mos vihet në pikëpyetje dhe se kërkimi për një zgjidhje të mosmarrëveshjes me Serbinë të jetë pjesë e perspektivës evropiane.
“Qëllimi duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme midis dy vendeve, e cila zgjidh të gjitha çështjet e mbetura dhe kontribuon në stabilitetin rajonal”, ka thënë Butel.
“Që nga korriku i vitit 2020, negociatat me Serbinë kanë rifilluar në Bruksel. Ndonëse, këto janë pezulluar për shkak të krizës shëndetësore dhe situatës politike në Kosovë, janë arritur disa rezultate, veçanërisht në çështjen e personave të zhdukur dhe personave të zhvendosur. Ka akoma shumë tema për t’u adresuar të cilat do të kërkojnë mobilizimin e ekipeve negociuese”.
“Franca, së bashku me Gjermaninë, është e përkushtuar për të mbështetur këtë proces dhe këtë do ta bëjë edhe me tej. Franca mbështet ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit të saj të posaçëm për dialog, Mirosllav Lajçak”.
Butel ka folur edhe për zgjedhjet e 14 shkurtit. Ajo ka theksuar se pavarësisht kohës së shkurtër për përgatitjen e tyre, kushtet e vështira të motit dhe kufizimet lidhur me krizën shëndetësore, zgjedhjet ishin të qeta më 14 shkurt.
“Pjesëmarrja në zgjedhje ishte e madhe. Dalja në zgjedhje ishte më e madhe sesa në vitin 2019. Kjo është një shenjë e një vitaliteti të madh dhe pjekurisë demokratike me të cilën Kosova dhe populli kosovar mund të jenë krenarë. Më e rëndësishmja është se votuesit kanë mundur të shprehin lirisht vullnetin e tyre më 14 shkurt dhe se rezultati përfundimtar i këtyre zgjedhjeve përfaqëson shprehjen e zgjedhjes së tyre të lirë dhe dëshirën e tyre për të ardhmen”.
Butel ka pohuar se shpresojnë që do të ketë ndryshime në reformën zgjedhore para mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme në vend.
“Kjo nuk do të thotë që këto zgjedhje kanë shkuar pa probleme. Në zgjedhjet e mëparshme, misionet vëzhguese të Bashkimit Evropian vunë re disa vështirësi dhe bënë rekomandime të cilat janë ende aktuale. Nê mesin e këtyre vështirësive është edhe besueshmëria e listës zgjedhore, kompleksiteti i votimit me postë për kosovarët që jetojnë jashtë, procedura e votimit me kusht, koha tepër e gjatë e nevojshme për numërimin e votave me kusht dhe me postë, dhe çertifikimi i rezultateve përfundimtare… ”
“Duhet shpresuar që ndryshimet, që ndoshta përfshijnë reformën e ligjit zgjedhor, do të mund të realizohen para se të mbahen zgjedhjet e ardhshme, për t’i dhënë përgjigje problemeve të ndryshme që dobësojnë aktualisht procesin zgjedhor”, ka thënë Butel.