Dhjetëra banorë të një qyteti bregdetar në Teksas të Shteteve të Bashkuara e sfiduan motin e ftohtë për të shpëtuar mijëra breshka deti.
Vullnetarët që punojnë për grupin lokal “Sea Turtle” kanë marrë për rehabilitim mbi 4.000 breshka deti, shkruan Daily Mail.
Ata që po merren me mbrojtjen e këtyre breshkave po shpresojnë që në mënyrë graduale do t’ua rrisin temperaturën trupore përderisa po i mbajnë në mjedis të mbyllur.
Drejtoresha e këtij grupi, Wendy Knight, tha se gjendja është e pashembullt dhe ka frikë se qindra breshka mund të kenë ngordhur nga moti i ftohtë.
Temperaturat shumë të ulëta i paralizojnë breshkat e detit dhe ua pamundësojnë të ushqyerit dhe mbajtjen e kokës mbi ujë.
Ndryshe, pjesa jugore e Shteteve të Bashkuara ditëve të fundit është përfshirë nga një stuhi e rrallë e dimrit të acartë, e cila ka sjellë shumë borë dhe temperatura të ulëta, duke shkaktuar ndërprerje të rrymës për miliona konsumatorë.
Së paku 21 persona kanë vdekur, ndërsa bora e madhe ka bllokuar shumë rrugë dhe ka ndikuar në anulimin e fluturimeve.