Amerikanët në votime, “Super e Marta” zgjeron fushatën e demokratëve

Prishtinë | 03 Mar 2020 | 16:31 | Nga Ekonomia Online

Amerikanët votojnë sot në 14 shtete për përzgjedhjen e kandidatit demokrat për president. Votimi do të përcaktojë rreth një të tretën e delegatëve të rinj në rang vendi.

Pas garës në shtetet Ajoua, Nju Hempshër, Nevada dhe Karolina e Jugut, e ashtuquajtura Super e Marta i jep një ton mbarëkombëtar procesit të nominimit.

Votuesit në shtete perëndimore, jugore, verilindore dhe ata në mesin e Shteteve të Bashkuara, së bashku me territorin amerikan Samoa, dalin për të votuar në të njëjtën kohë.

Senatori i Vermontit, Bernie Sanders, udhëheq garën me 58 delegatë të fituar. Ai mund të marrë edhe më shumë mbështetje nga votuesit në Kalifornia dhe Teksas ku sondazhet tregojnë se ai është në krye të të gjithë kandidatëve të tjerë.

Shteti i tretë më i rëndësishëm në garën e sotshme është Karolina e Veriut, ku anketimet treguan se Senatori Sanders dhe ish-nënpresidenti Joe Biden janë në një garë të ngushtë.

Zoti Biden sapo fitoi në shtetin e Karolinës së Jugut dhe ka siguruar tashmë 50 delegatë.

Në vendin e tretë radhitet Senatorja nga Masaçusets, Elizabeth Warren, e cila pasi pësoi disa humbje, fitoi të gjithë 8 delegatët e saj në shtetin Ajoua. Në shtetin e saj Masaçusets, një anketim tregon se ajo është në një garë të ngushtë me Senatorin Sanders.

Super e Marta erdhi me ndryshime të mëdha për garën elektorale.

Senatorja e Minesotas, Amy Klobuchar, njoftoi fundin e kandidimit të saj dhe njoftoi se do të mbështesë zotin Biden. Ajo u bë kështu pjesë e një grupi të moderuar demokratësh që po shprehin mbështetjen në minutën e fundit për ish-nënpresidentin Biden.

Një tjetër kandidat, Kryebashkiaku i South Bend, Pete Buttigieg, shpalli gjithashtu përfundimin e kandidimit të tij dhe njoftoi mbështetjen për zotin Biden.

Ndër shtetet ku votohet sot radhiten Alabama, Arkansas, Kolorado, Mein, Oklahoma, Tenesi, Jutah, Vermont dhe Virxhinia. /VOA/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme