Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll gjatë ditës së djeshme ka filluar përgatitjet për Eurobasket 2021.
Seancës stërvitore i është bashkuar edhe basketbollisti amerikan, Malcolm Armstead, i cili u paraqit i plotë në palestër.
Madje, lojtari 29-vjeçar ka stërvitur dy herë – paradite dhe pasdite- nën urdhrat e trajnerit, Damir Mulamerovic.
Por, peshën e fanellës fundori organizator do të ndiejë gjatë ndeshjes mes Kosovës dhe Rumanisë, e cila do të zhvillohet të dielën në kuadër të parakualifikueseve për evropian.
Kujtojmë se ai është amerikani i katërt i natyralizuar pas Justin Doellmanit, Scott Bamforthit dhe Shawn Jonesit.
Ndryshe, Kosova duelin me Rumaninë do ta zhvillojë më 24 shkurt (e diele) në ora 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Kosova bën gara në Grupin B dhe në tri duelet e para ka pësuar disfata, dy herë nga Maqedonia dhe një herë nga Rumania, ndërsa e ka edhe një shans në muajin gusht për ta siguruar një vend për në kualifikime për Eurobasket 2021.