Vedat Muriqi e Milot Rashica me golat e tyre po trimërojnë “dardanët” para ndeshjeve vendimtare të Kosovës për kualifikim në “Euro 2020”. Por tregimi për formën aktuale të lojtarëve të përfaqësueses së Kosovës ka edhe “anën tjetër të medaljes”. Pos lojtarëve në superformë, si Rashica e Muriqi, janë edhe lojtarët që nuk po luajnë fare për skuadrat e tyre. Madje për disa, që te Kosova vlerësohen shumë të rëndësishëm, ndeshjet me përfaqësuese ishin të fundit.
Kosova më 10 tetor luajti miqësore me Gjibraltarin (1:0), ndërsa më 14 tetor fitoi 2:0 ndaj Malit të Zi në eliminatoret për “Euro 2020”. Pas ndeshjes me Malin e Zi, lojtarët e Kosovës kishin dy apo tri takime me skuadrat e tyre. Dhe disa nuk kanë fituar asnjë minutë, shkruan sot Koha Ditore.
Te portierët vazhdon të jetë situata më shqetësuese lidhur me aktivizimin e rregullt. Portieri i parë i Kosovës, Arijanet Muriq, ka përcjellë nga stoli dy ndeshjet që skuadra e tij Nottingham Forest i ka luajtur së fundi në kategorinë e dytë angleze. Muriq ka humbur vendin te skuadra ku është i huazuar që nga gushti, ndërsa së fundi ndeshje kampionale ka zhvilluar më 21 gusht. Prej atëherë nuk i është ndarë stolit. Në fund të shtatorit luajti një ndeshje për Kupë, por pranoi pesë gola dhe nuk u vlerësua për paraqitjen. Me shumë mundësi Muriq nuk do të luajë për Nottinghamin më para se të grumbullohet sërish me Kosovën për ndeshjet e nëntorit, që janë vendimtare për kualifikim.
Portieri i dytë, Samir Ujkani, kompletoi miqësoren me Gjibraltarin, ndërsa te Torino nuk i ndahet stolit. Ujkani 31-vjeç te Torino e Serie A është transferuar për të qenë portier i dytë dhe po qëndron në atë pikë. Është në pritje të debutimit. Ndeshja e tij e parafundit, po ashtu, ishte me fanellë të Kosovës, në miqësore ndaj Danimarkës më 21 mars.
Portieri i tretë i Kosovës, Visar Bekaj, luan te Prishtina dhe nuk e fitoi rastin as në miqësore ndaj Gjibraltarit.