“Në rast se këta kufij kanë lëvizur nga viti 1974 atëherë është temë që mund të shkojë edhe në arbitrazhe”, deklaroi profesori universitar Blerim Burjani.
Procesi i ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit, për kufirin Kosovë-Mali i Zi është një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave, i cili do ta mundësojë lëvizjen e lirë të kosovarëve në shtetet e BE-së. Kjo marrëveshje e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe Malit të Zi në muajin gusht të vitit të kaluar në Vjenë, pritet që së shpejti të shqyrtohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Drejtori ekzekutiv në organizatën joqeveritare “Demokraci Plus” (D+), Driton Selmanaj në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), duke folur për vizitën e Ndihmës sekretares amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, u shpreh se ajo ka sjellë “ultimatumet” që sa më shpejt të përfundojë demarkacioni, krimi i organizuar dhe korrupsioni, dhe që Kosova të bëjë hapa më të mëdhenj drejt BE-së. Ai shtoi se këto presione të cilat tani dihen se nga kush po vijnë, do ta detyrojnë ta vënë në lëvizje klasën politike të Kosovës.
“Kjo çështje është dashur të jetë krejtësisht e ekspertëve dhe të nivelit teknik, dhe jo ne të bëjmë kaq shumë politizim dhe ngarkesë të madhe të opinionit. Kjo temë është bërë pengesë e shumë zhvillimeve tjera politike, përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave”, u shpreh Selmanaj.
Selmanaj theksoi se pritet që çështja e demarkacionit të shtrohet në Kuvend në mesin e kësaj jave, pas së cilës mund të ketë përsëri tensione, pamje dhe imazhe jo të mira të shtetit të Kosovës, para bashkësisë ndërkombëtare.
Ai shtoi se moszgjidhja e kësaj situate po i mban peng shumë proceset politike dhe theksoi se ky është mos-rezultati i të dyja palëve, si i pozitës ashtu edhe i opozitës.
Selmanaj vuri në pah se partitë në pushtet kanë krijuar një situatë ku ka shumë të panjohura, duke i përjashtuar partitë opozitare dhe duke mos u dhënë atyre informacionet e duhura rreth kësaj çështjeje. Ndërkohë ai shtoi se edhe partitë opozitare kanë qëndruar si “gardianë” të gabimeve që bën qeveria, duke provuar që të përfitojë nga këto lëshime dhe ta hospitalizojë në kauza politike.
Ai potencoi se ende nuk ka lëvizje as nga pozita e as nga opozita dhe se gjendja është në pikën zero, ku përsëri mund të fillojë dhuna, tensioni dhe protestat. Duke theksuar se këto janë pamje shumë të rrezikshme për Kosovën shtoi se kjo po dëshmon mos-pjekurinë shtetërore dhe institucionale për t’iu dhënë përgjigje temave të mëdha.
Selmanaj gjithashtu shprehu dilemën se ky koalicion i qeverisë ka numrat e mjaftueshëm për ta ratifikuar Demarkacionin.
“Aq shumë është politizuar kjo temë dhe aq shumë është tensionuar skena politike dhe jeta publike në Kosovë, saqë mendoj se disa deputetë mund ta rrezikojnë edhe ratifikimin.
Mos-ratifikimi më pas do të shpërfaqë edhe një situatë tjetër, jo seriozitetin e shtetit të Kosovës karshi obligimeve ndërkombëtare, sepse po flasim për një raport me një shtet me të cilin kemi marrëdhënie të mira bilaterale, kemi vendosur firma nga ana e ministrave reciprok, është ratifikuar në parlamentin e Malit të Zi, dhe ne çfarë po bëjmë, nuk po e ratifikojmë”, shtoi në fund Selmanaj.
Ndërkohë, profesori universitar Blerim Burjani, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) u shpreh se porosia e Nuland ka qenë e qartë, ashtu siç ka qenë ai i SHBA-ve dhe i BE-së se vija kufitare e përcaktuar nga Komisioni për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi është definitive. Ai shtoi se me punën e komisionit verifikues me ekspertë ndërkombëtarë është pranuar se ekziston një kufi i pranueshëm për të dyja palët.
“Kosova nuk mund t’i humbasë kufijtë e saj dhe nuk mund ta humb territorin e saj, poqë-se është i pranishëm kufiri i vitit 1974 dhe ky kufi është shënuar nga komisionet e dy palëve. Në rast se këta kufij kanë lëvizur nga viti 1974 atëherë është temë që mund të shkojë edhe në arbitrazhe. Vetëm kufiri i vitit 1974 të Kosovës me Malin e Zi mund të jetë i pranueshëm vendor dhe ndërkombëtar, si për Kosovën dhe Malin e Zi, ashtu edhe për rajonin e Ballkanit”, tha Burjani.
Ai ka bërë të ditur se të gjitha republikat e dikurshme Jugosllave kanë shpallur pavarësinë dhe sot njihen ndërkombëtarisht me kufijtë e njëjtë, të përcaktuara me Kushtetutën e vitit 1974. Ai shtoi se politika e tashme e Kosovës po e shtyn për muri vendin, duke ia ndalur rrugën drejt liberalizimit të vizave dhe se një pjesë e pozitës po tenton jo vetëm ta izolojë veten por edhe shtetin e Kosovës.
“Loja me demarkacionin dhe loja me kufij sikur në vitet e 90-ta nuk bën. Koha ka ndryshuar krejtësisht dhe do të ishte më mirë që të bëhet edhe një herë verifikimi apo konfirmimi i linjës kufitare me Malin e Zi. Do të ishte më mirë që pozita dhe opozita të mblidhen bashkërisht dhe të diskutojnë edhe një herë se a është bërë ndonjë gabim së bashku me Malin e Zi, sepse ata nuk po e rezistojnë temën e bashkëpunimit. Por, të jemi të bindur se do ta kemi vështirë t’i luajmë kufijtë të cilët janë konfirmuar nga ekspertët”, u shpreh Burjani.
Duke shprehur se në rast se këta kufij kanë lëvizur nga viti 1974, atëherë mund të shkohet edhe në arbitrazhe, Burjani theksoi se më së miri do të ishte që Kosova dhe Mali i Zi të pranojnë një demarkacion i cili është i pakontestueshëm nga të dyja palët. Ai shtoi se mos-shënimi i demarkacionit nuk do të shkonte as në interes të Kosovës dhe as të Malit të Zi, të cilët dëshirojnë të anëtarësohen në NATO.