Analistët politikë konsiderojnë që me vendimin për të qëndruar në sallë kur të votohet Presidenti, po i vardiset Vetëvendosjes.
Njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari thotë se LDK me vendimin për t’i bërë kuorumin Vjosa Osmanit për Preaidente, nuk është më opozitë.
Sipas tij LDK është e “tmerruar” nga Vetëvendosje, aq sa po i mundëson kapjen e tri shtyllave kryesore të shtetit.
“Pas vendimit të LDK-së, për të mundësuar zgjedhjen e znj.Osmani si kryetare e Kosovës, Opozita e vetme në Kosovë mbetet, PDK dhe AAK. LDK zgjodhi të bëjë atë që bënë me së miri, ti vardiset pushtetit dhe të fortit! Dikur LDK i nënshtrohej PDK-së, së Hashim Thaçit e tani LVV-së, së Albin Kurtit. Duket se LDK është e tmerruar nga Lëvizja Vetëvendosje aq shumë sa pranuan të i mundësojë asaj kapjen e tri shtyllave kryesore të shtetit siç janë: Presidenca, Kuvendi, Qeveria”, deklaroi Jashari për Gazeta Blic.
Jashari thotë se qytetari do e vlerësojë me votë vendimin e LDK-së.
Ai shton se Osmani dhe Abdixhiku e kanë poshtëruar dhe nënshtruar LDK-në.
“Se a është mirë apo i keq ky vendim i LDK-së, do ta vlerësoj qytetari me votë në zgjedhjet e ardhshme. Ajo që unë mendoj është se LDK-ja, duhej të profilizohej si opozitë ndryshe nga kjo që kemi parë deri më tani që vazhdimisht kanë flirtuar me pushtetin. Nëse qellimi i Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdixhikut ka qenë nënshtirmi dhe poshtrimi i LDK-së, mendoj se ia kanë arritur. Unë mendoj se kjo qasje e tyre në afatgjatë nuk do ti sjellë vota me shumë LDK-së, por do të jetë pikërisht e kundërta.”, shtoi ai
E analisti politik, Shkodran Ramadani liston motivet e LDK-së pët të marrur pjesë në votim.
Ai e sheh si frikë nga LDK që e detyron këtë parti të marrë pjesë në votim.
“Arsyeja pse LDK ka vendosë me marrë pjesë në votim dhe me ia siguru Vjosa Osmanit kuorumin për Presidente ka disa motive. E para është që nuk duan me shku në zgjedhje, sepse besojnë se nëse shkohet në zgjedhje duke mos e votuar Osmanin atëherë kriza e partisë do të thellohet edhe më shumë edhe më shumë votues mund të shkojnë tek Osmani. E dyta, duan të ndërtu një raport më konstruktiv me VV-në dhe me e shmangë konfliktin, kjo është një lloj doze e frikës që e shtin LDK-në me vepru kështu.”, deklaroi Ramadani për Gazeta Blic.
Ramadani thotë se LDK po tenton ta ndajë Osmanin nga VV dhe kështu të rikthejë votuesit.
Megjithatë sipas tij kjo do ketë pak impakt sepse prap LDK nuk do mund të garojë me Vetëvendosjen për vendin e parë
“E treta është që duan ta largojnë Vjosa Osmanin nga VV, duke e bërë presidente llogarisin që Osmani do të pavarësohet nga VV për shkak të rolit të Presidentit e që LDK të mund t’i kthejë votuesit që kanë shkuar në VV, por kjo do ketë impakt të kufizuar pasi që jo shpesh ndodhë që partitë konstruktive në opozitë të mund të fitojnë më shumë se partia në pushtet, zakonisht fiton më shumë pushteti, prandaj besoj që kjo do e penalizojë LDK-në në vazhdim. Do ketë një rritje por jo të madhe, nuk do mund ta ndryshojë balancin politik në vend. Mund të garojë me PDK-në për vend të dytë por jo edhe të shkëputet larg nga vendi i tretë”, shtoi Ramadani.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku gjatë ditës së marte ka deklaruar se Kryesia e partisë ka vendos të ia bëjnë kuorumin Vjosa Osmanit kur të votohet për Presidente.
Gjatë javëve të fundit Abdixhiku u takua me Osmanin ku diskutuan për këtë çështje.
Megjithatë ka raportime se tre deputetë të LDK-së mund të mos ndajnë të njejtin mendim me partinë.
Emrat që përmenden se mund të veprojnë ndryshe janë: Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj.