Analistët politikë diskutojnë si të shmanget përsëritja e ngërçit politike

Prishtinë | 06 Shk 2026 | 08:57 | Nga Ekonomia Online

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, skena politike në Kosovë po hyn në një fazë vendimtare për funksionalizimin e institucioneve të reja. Në qendër të diskutimeve publike dhe politike është dilema nëse Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të arrijë ta formojë e vetme Qeverinë apo do të jetë e detyruar të hyjë në një koalicion qeverisës me partitë e tjera parlamentare.

Paralelisht me këtë, është hapur edhe çështja e zgjedhjes së presidentit, proces që kërkon shumicë të kualifikuar në Kuvend dhe që potencialisht mund të sjellë bllokada politike.

Në këtë kontekst, po diskutohet gjerësisht nëse LVV është e gatshme të bëjë kompromis duke lëshuar njërën nga tri pozitat kryesore të shtetit, me qëllim sigurimin e konsensusit politik dhe shmangien e një ngërçi institucional.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Labinote Demi-Murtezi ka deklaruar se deri më tani nuk ka pasur asnjë takim apo diskutim politik lidhur me formimin e Qeverisë së re apo mundësinë e ndonjë koalicioni qeverisës.

Demi-Murtezi ka sqaruar se aktualisht nuk ka kontakte as me partitë tjera parlamentare, as diskutime që do të lidhnin formimin e Qeverisë me çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe tejkalimin e ndonjë bllokade të mundshme politike.

Analisti politik Xhevdet Pozhari ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, aktualisht i ka numrat e mjaftueshëm për ta formuar e vetme Qeverinë dhe se, ndryshe nga e kaluara, nuk ka nevojë për koalicion bashkëqeverisës. Sipas tij, rrethanat politike kanë ndryshuar pas zgjedhjeve të fundit, ndërsa çështja e zgjedhjes së presidentit mbetet proces që kërkon konsensus të gjerë politik.

Sa i përket pozitës së presidentit dhe mundësisë që LVV të japë njërën nga tri postet kryesore të shtetit për tejkalimin e një bllokade politike, Pozhari thekson se procesi nuk duhet parë si çështje partiake, por si domosdoshmëri kushtetuese dhe institucionale.

Analisti shton se zgjidhja e ngërçit politik varet nga vullneti bashkëpunues i partive parlamentare dhe gatishmëria për kompromis, me qëllim funksionalizimin sa më të shpejtë të institucioneve të vendit.

Analisti politik Arbnor Sadiku ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje, nuk pritet ta formojë e vetme Qeverinë dhe se opsioni i vetëm realist për një marrëveshje koalicioni mbetet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Sipas tij, dinamika e re politike e bën të pashmangshme edhe diskutimin për ndarjen e pozitave kryesore të shtetit, përfshirë edhe postin e presidentit, me qëllim tejkalimin e një bllokade të mundshme institucionale, shkruan FrontOnline.

Sadiku thekson se në rast të arritjes së një marrëveshjeje, LVV do të hyjë në koalicion elektoral ekskluzivisht me LDK-në, ndërsa çështja e presidentit është pjesë përbërëse e kësaj marrëveshjeje dhe lidhet drejtpërdrejt me qëndrimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Analisti politik Blerim Burjani ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka kapacitetin ta formojë e vetme Qeverinë, kryesisht me mbështetjen e minoriteteve jo serbe, por thekson se një koalicion politik do të ishte zgjidhje më e qëndrueshme për funksionimin e institucioneve dhe tejkalimin e bllokadave të mundshme, përfshirë edhe procesin e zgjedhjes së presidentit.

Sipas Burjanit, edhe pse ekziston mundësia që LVV të qeverisë pa partnerë politikë, hyrja në koalicion do të krijonte stabilitet më të madh institucional dhe do ta lehtësonte marrjen e vendimeve të rëndësishme shtetërore.

Burjani vlerëson se opsioni më i favorshëm do të ishte një koalicion mes LVV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i cili, së bashku me votat e minoriteteve, do të siguronte një shumicë të fuqishme në Kuvend./Front Online

Të ngjashme