Autoritetet në Kosovë dhe në Serbi nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre, të cilat kanë shkaktuar ngecjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, pavarësisht ftesës së qeverive të vendeve të Kuint-it, rreth një javë më parë, që menjëherë të rifillojë dialogu me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë dhe në Serbi, vlerësojnë se letra e vendeve të Kuint-it për Kosovën dhe Serbinë, ndryshe nga thirrjet e deritashme, është e rëndësisë së veçantë dhe shpreh qasje të unifikuar të këtyre vendeve, por që tash për tash, të paktën në publik, ndaj kësaj thirrjeje, autoritetet e Kosovës, e në veçanti të Serbisë, kanë treguar mospërfillje.
Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se qasja e Serbisë dhe Kosovës ndaj thirrjes së vendeve të Kuint-it, reflekton faktin se aktualisht në Kosovë dhe Serbi nuk ka udhëheqës të përgjegjshëm. Ai konsideron që udhëheqësit në Kosovë dhe në Serbi nuk e dinë rëndësinë e rolit të bashkësisë ndërkombëtare dhe nuk e kuptojnë që vendet janë sovrane vetëm kur ato janë pjesë e arkitekturës ndërkombëtare të paqes, stabilitetit dhe mekanizmave ndërkombëtarë që ndërtohen dhe detyrojnë vendet që të mos shkaktojnë kriza.
“As Kosova e as Serbia ende nuk po ballafaqohen shumë me pasoja dhe po mendojnë se janë faktorë të vetëm dhe që mund t’i bëjnë imponime bashkësisë ndërkombëtare. Nuk po e kuptojnë që bashkësia ndërkombëtare i cakton rregullat e Kosova dhe Serbia, duke i përfillur rregullat mund të arrijnë paqen dhe stabilitetin, si dhe marrëveshjen për stabilizim”, tha Tahiri.
Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për marrëdhënie etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë, që esenca e thirrjes së vendeve të Kuint-it për Kosovën dhe Serbinë, nënkupton që ato do ta ndihmojnë normalizimin e plotë ndërmjet dy vendeve, por që nuk dëshirojnë ndryshim të kufijve dhe që ky proces duhet të çojë drejt integrimeve euroatlantike. Kjo e fundit, sipas tij, është në Serbi është përjetuar si goditje.