Situata në Kosovë mbetet peng i ambicieve për pushtet të disa forcave politike, ose i mungesës së kurajës për të dalë me vendime të vështira politike nga forca të tjera.
Në këtë përfundim arrijnë dy njohës të çështjeve në Ballkanit, Daniel Serwer i Institutit Amerikan të Paqes dhe James Hooper, aktualisht këshilltar për zgjidhjen e konfliktit në Siri.
Analistët biseduan me kolegen e shërbimit serb të Zërit të Amerikës, Jela de Franceschi mbi zhvillimet kryesore politike në Ballkan, ku u ndalën edhe te situata në Kosovë.
Analisti James Hooper, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, shpreh zhgënjim të thellë me mënyrën si po zhvillohet politika në Kosovë:
“Me sa rezulton, në Kosovë ka shumë pak udhëheqës me vizion. Mendoj se zoti Thaçi e ka treguar se është udhëheqës i mirë dhe e ka treguar se është serioz për të luajtur një rol konstruktiv në rajon. Ai është shumë elastik dhe konstruktiv. Shumë pak veta e pëlqejnë zotin Thaçi në Kosovë”, ka thënë Hooper.
Ai ka folur edhe për marrëveshjen për Demarkacionin në mes Kosovës e Malit të Zi duke thënë se politikanët kanë vepruar pa menduar mirë.
“Ata negociuan një marrëveshje për kufirin me Malin e Zi. Nuk jam ekspert për këtë çështje, nuk jam jurist, por nuk mendoj se i kanë trajtuar këto negociata me seriozitetin që kërkonin dhe ndoshta e morën pak lehtë dhe si përfundim patën një rezultat që nuk e shisnin dot në Kosovë. Opozita e ka bërë absolutisht të qartë se është e gatshme të bëjë çdo gjë për ta bllokuar”.
Ndërsa për Lëvizjen Vetëvendosje ka thënë se është subjekt radikalist dhe paraqet rrezik për rajonin e Ballkanit.
“Kjo është një situatë e rrezikshme pasi ringjall fytyrën e shëmtuar të nacionalizmit në rajon. Aktualisht ekziston ky nacionalizëm meskin, kjo mendësi provinciale nga opozita, që shprehet përmes akteve lidhur me marrëveshjen për kufirin”.