Analisti Bytyçi jep disa opsione në rast të dështimit të koalicionit VV-LDK, s’përjashton PAN 2

Prishtinë | 14 Jan 2020 | 15:33 | Nga Albanë Hajdari

Nëse nuk bëhet koalicioni i shumëpritur LVV-LDK, atëherë Vetëvendosje duhet t’ia lëshon rrugën Lidhjes Demokratike të Kosovës ta formojë Qeverinë.

Por nëse kjo e fundit nuk pranon, atëherë analisti politik, Seb Bytyçi nuk përjashton koalicioni ndërmjet LDK-së PAN-it dhe pakicave.

Bytyçi në një deklaratë për Ekonomia Online tha se këto janë opsionet e mundshme nëse nuk do të ketë marrëveshje ndërmjet dy partive fituese.

“Përveç koalicionit LDK-LVV, ka edhe disa mundësi tjera për koalicione. LVV-ja ka deklaruar se nuk bën koalicion me parti tjera, por nëse LDK nuk pranon të bëjë marrëveshje me LVV-në dhe LVV-ja ia lëshon rrugën asaj që ta formojë qeverinë atëherë LDK-ja i ka disa opsione”.

“Nëse LDK nuk zgjedhë ta bëjë qeverinë me LVV atëherë ajo mund të formojë qeveri me PDK-në dhe pakicat. Opsioni tjetër është të formohet qeveria LDK-AAK-NISMA dhe pakicat. Apo edhe opsioni LDK-PDK-AAK-NISMA dhe pakicat”, ka thënë ai.

Bytyçi deklaroi se këto koalicione mund të bëhen nëse LDK-ja refuzon ofertën e fundit të VV dhe kjo e fundit mund të heq dorë.

Ai potencoi se nëse LDK vendos të ketë koalicione me partitë tjera, e njëjta do duhej të bënte me Listën Serbe.

 “Këto opsione tjera varen kryesisht nga fakti se a do të hiqte dorë LVV nga e drejta për ta formuar qeverinë, gjë që do të ndodhte vetëm nëse ka refuzim nga LDK-ja. Nëse ndodhë kjo atëherë këto opsione tjera bëhen të mundshme”.

“Mirëpo LDK-ja do të duhej ta paguante koston politike të mos bërjes së koalicionit me LVV-në ashtu siç ka premtuar para zgjedhjeve. Problemi tjetër është se nëse LDK vendosë të shkojë me opsionet tjera atëherë ajo do të duhej të bënte koalicion edhe me Listën Serbe, që do të kishte kërkesa jo kushtetuese”.

Bytyçi ka folur edhe për prolongimin e krijuar nga dy partitë, për të cilat tha se duhet sa më shpejt të marrin një vendim.

Ndër të tjera, ai e vlerëson si kompromis të mirë ofertën e fundit të LVV-së ndaj LDK-së.

Sipas tij, shtimi i ministrive e obligon edhe Kushtetuta, por këto dy subjekte politike nuk duhet të bëjnë ndarjen e posteve jopolitike, raporton EO.

 “Mendoj se vonesat janë të panevojshme dhe dy partitë duhet të ulen e t’i bisedojnë opsionet e mundshme, e jo të zgjatet ky proces me javë ku çdo ofertë e kundër ofertë diskutohet me disa ditë. Dy partitë mund t’i shtjellojnë opsionet e mundshme në një takim të gjatë dhe të pajtohen për një kompromis të cilin pastaj do ta diskutonin organet partiake”.

“Oferta për shtimin e dy ministrive është kompromis i mirë. Në fakt kushtetuta e obligon shtimin e një ministrie për pakicat kurse vetëm një ministri do të shtohej për partnerët LVV-LDK. Kompromise të tilla politike i imponon edhe vetë sistemi zgjedhor i Kosovës, që gjithmonë rezulton në koalicione”.

“Përderisa kompromiset politike janë në rregull, partitë nuk duhet të bëjnë marrëveshje për ndarjen e posteve jopolitike (p.sh të bordeve të kompanive publike, postet administrative etj), siç ka qenë praktikë deri tash, sepse shteti ka nevojë të ketë institucione të depolitizuar”, ka thënë Bytyçi.

Përderisa anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një deklaratë për Ekonomia Online ka thënë se çështja e kryeparlamentarit është e mbyllur dhe se opsioni i vetëm nëse nuk bëhet koalicioni me LDK-në janë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Haxhiu ka pranuar ofertën e re për LDK-në, po që nuk ka dashur ta komentojë, por thotë se pas ofertës LDK-ja duhet ta thërras Këshillin Drejtues e ta shqyrtojë ofertën e më pas ta ftojë liderin tonë për takim, i cili duhet të ndodhë sa më shpejt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme