Analistja kosovare tregon se çka do t’i thoshte Lajçkaut po të ishte në vend të Kurtit

Prishtinë | 15 Mar 2023 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Analistja Luljeta Aliu është nervozuar me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se nuk ka marrëveshje pa Asociacion.

Ajo ka treguar se çka do t`i thoshte diplomatit të BE-së po të ishte në vend të kryeministrit.

Në profilin e saj në Facebook, Aliu ka shkruar se në këto rrethana Kosova duhet t`i ndërpresë diskutimet.

“Lajçak paska thënë se nuk ka marrëveshje pa asociacion. Me qenë në vend të Albinit, i kisha thënë ‘mbaji të dyjat për veti. Nuk po du njohje prej Serbisë. As asociacion nuk ka.’ Nuk e kuptoj pse duhet me u marrë vesh me një kriminel, pse duhet me negociu me Serbinë për njohje të shtetit, kur dihet se ata edhe autonominë na e kanë anulu”, ka shkruar Aliu.

Sipas saj, nuk është detyrë e Kosovës që ta demokratizojë Serbinë.

“Por pastaj ka plasë lufta. Nuk është detyrë e jona me civilizu Serbinë, le ta kryejë Bashkimi Evropian dhe Amerika atë punë. Por këta nuk arritën asgjë me negociatat e tyre me Serbinë deri në 1999 dhe e panë që duhet me bombardu për me marrë vesh. E tash Kosova po u dashka me qenë më bindëse se komplet bota perëndimore a?”, ka shkruar ajo.

Të ngjashme