Ancelotti: Balotelli reagoi siç duhet ndaj thirrjeve raciste

Prishtinë | 05 Nën 2019 | 10:03 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Napolit, Carlo Ancelotti, e ka përkrahur reagimin e Mario Balotellit ndaj thirrjeve raciste që ai i mori gjatë takimit të Serisë A së Brescias kundër Hellas Veronës, të dielën.

Mario Balotelli, i cili ka qenë cak i shumë sulmeve gjatë karrierës së tij, u bë sërish viktimë e thirrjeve raciste nga tifozët në tribunat e stadiumit gjatë përballjes të së dielës në Seria, në stadiumin Marcantonio Bentegodi në Verona.

Sulmuesi italian reagoi me nervozizëm, duke e goditur topin jashtë fushës, para se të bindej të qëndronte në fushën e lojës nga bashkëlojtarët e tij dhe kundërshtarët.

Pasi një deklaratë u lexua në stadium, ndeshja rinisi dhe Balotelli e shënoi një gol në minutën e 85-të, mirëpo skuadra e tij prapëseprapë pësoi disfatë me rezultat 2:1.

Ancelotti beson se Balotelli pati të drejtë ta theksojë abuzimin dhe tha se ndalja e lojës u dërgon mesazh autoriteteve të futbollit t’i ndërmarrin hapat e duhur për ta luftuar racizmin.

“Balotelli e bëri gjënë e duhur, ai reagoi siç duhet. Ka pasur disa ndeshje të tilla kur ndeshja është ndalur për pak minuta, kështu që jemi në rrugën e duhur”, ka thënë Ancelotti, skuadra e së cilit do të përballet të martën me Salzburgun.

Në anën tjetër, trajneri i Hellas Veronës, Ivan Juric, e akuzoi Balotellin se po gënjen për thirrjet raciste, duke insistuar se “ky është problemi i tij, e jo i yni”.

“Sot nuk kishte asgjë, asnjë thirrje raciste. Pati fishkëllima në drejtim të një lojtari të mrekullueshëm, por s’pati asgjë të gabuar. Nuk e di pse reagoi në atë mënyrë. Le ta themi kështu, është një gënjeshtër”.

“Ne s’flasim gjepura .Nëse do të kishte ndodhur, unë do ta pranoja edhe nëse do të ishte nga tifozët tanë. Do të isha i neveritur. Por, jo sot. Kur ai e shënoi golin pati shumë fishkëllima. Ishte problemi i tij, jo i yni”. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme