Gjatë publikimit të dokumentit nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini dhe komisionari për zgjerim, Johanness Hahn, u tha se strategjia hap dyert për integrimin e rajonit.
“Kjo strategji ofron perspektivë konkrete dhe të qartë të integrimit evropian për secilin nga gjashtë partnerët tanë, qartazi varësisht nga meritat në proces, që janë shumë mirë të njohura” tha Mogherini
Strategjia shpjegon hapat që duhet të hedhin Mali i Zi dhe Serbia për të përmbushur procesin e anëtarësimit deri më 2025, ndërsa vendet tjera mund të synojnë atë afat.
Mali i Zi dhe Serbia janë të vetmet vende që tashmë janë të përfshira në negociatat për anëtarësim. Kjo perspektivë përfundimisht do të varet nga vullneti i fortë politik, realizimi i vërtetë dhe i qëndrueshëm i reformave si dhe zgjidhjet përfundimtare të kontesteve me fqinjët, thuhet në dokument.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mundësinë që të lëvizin përpara në rrugët e tyre evropiane.
Shqipëria dhe Maqedonia janë duke shënuar përparim të dukshëm në rrugët e tyre evropiane dhe Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandimet për hapjen e negociatave të anëtarësimit, në bazë të kushteve të përmbushura.
Komisioni do të fillojë të përgatisë një opinion lidhur me aplikimin për anëtarësim të Bosnje dhe Hercegovinës pas pranimit të përgjigjeve gjithëpërfshirëse dhe të plota në pyetësorin e saj. Me përpjekje dhe angazhim të qëndrueshëm, Bosnje dhe Hercegovina mund të bëhet kandidat për anëtarësim.
Kosova ka një mundësi për përparim të qëndrueshëm përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe për të avancuar rrugëtimin e saj evropian, sapo të lejojnë rrethanat objektive, thuhet në dokument.
Komisionari Johannes Hahn tha se Bashkimi Evropian nuk do të pranojë asnjë vend që nuk i ka të zgjidhura konfliktet dypalëshe.
“Në këtë kuadër, do të thosha që kjo duhet të shërbejë si motivim për Kosovën që të ndihmojë në rezultatin pozitiv të bisedimeve të lehtësuara nga zonja Mogherini. Pra nuk është vetëm në interes të Serbisë, por është edhe në interes të Kosovës që të gjejë zgjidhje pozitive që do të hap rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, tha ai.
Dokumenti njeh përparimin e bërë ndër vite “por në mënyrë që vendet të përmbushin të gjitha kushtet e anëtarësimit dhe të forcojnë demokracitë e tyre, ende kërkohen reforma gjithëpërfshirëse dhe bindëse në fusha vendimtare” duke veçuar drejtimet kryesore si: sundimin e ligjit, sigurinë dhe çështjet e migracionit, lidhjet e transportit dhe energjisë, dhe ripajtimin e bashkëpunimin rajonal e pajtimin.
Në kuadër të përgatitjeve që duhet të bëjë edhe Bashkimi Evropian, dokumenti parasheh edhe veprime të veçanta për të siguruar që shtetet e ardhshme anëtare nuk janë në gjendje të bllokojnë anëtarësimin e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Publikimi i strategjisë është një nga zhvillimet e rëndësishme për rajonin gjatë këtij viti. Në muajin prill, Komisioni Evropian do të publikojë raportin e përparimit të këtyre vendeve, ndërsa në muajin maj në Sofje, pritet të mbahet takimi i lartë i vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Strategjia e zgjerimit do të diskutohet më pas në qershor në takimin e lartë të Bashkimit Evropian, ndërsa në korrik në Londër do të mbahet takimi i radhës i vendeve të Ballkanit Perëndimorë.
Këto zhvillime shihen si një përpjekje e ripërtërirë e Bashkimit Evropian për një qasje ndryshe ndaj rajonit të trazuar për shkak të rritjes së ndikimit rus, krizës së emigracionit, rrëshqitjes së Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin evropian pas largimit të Britanisë në vitin 2019.
Mogherini është shprehur optimiste se Serbia do të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2025, por duke zbatuar kushtet që janë vendosur.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Mogherini ka thënë se pret që marrëveshja përfundimtare të arrihet deri në vitin 2019, transmeton lajmi.net
“Në muajt e fundit unë shoh vendosmëri nga Beogradi dhe Prishtinë për të diskutuar normalizimin gjithëpërfshirës, me shpresë që do të reflektohet në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Unë besoj që një marrëveshje mund të arrihet deri në fund të vitit 2019”, ka thënë Federica Mogherini për RTS.
E pyetur se cila do të jetë përmbajtja e kësaj marrëveshja, shefja e diplomacisë së BE-së deklaroi se aktualisht nuk po e mendon këtë pjesë.
“Unë nuk mendoj për këtë. Nuk dua të flas për atë se çfarë dy palët do të ishin të kënaqura. Do të vijë koha për këtë. Brukseli nuk do të diktojë asgjë, vetëm do të mbështesë dhe ndihmojë”, ka theksuar Mogherini.
Ndryshe në bazë të Strategjisë së Zgjerimit të BE-së, dialogu Kosovë-Serbi është faktori kryesor në rrugën e dy vendeve drejt Bashkimit Evropian.
Edhe analisti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serëer, ka komentuar strategjinë për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor dhe atë se ku gjendet Kosova. Serëer nuk e sheh në një pozitë të mirë shtetin e Kosovës, derisa flet për rëndësinë që ka përmirësimi i raporteve me Serbinë.
Pjesa ku Serëer flet për Kosovën në peacefare:
Kosova është mbrapa. Ajo ende nuk ka arritur statusin e kandidatit. Por njoftimi e bën të qartë që secili vend në parim do të kualifikohet më vete pa ndonjë urdhër të paracaktuar. Strategjia gjithashtu nënvizon rëndësinë e zgjidhjes së çështjeve me fqinjët, që do të thotë se Serbia do të duhet të shënojë progres me Kosovën më shpejt sesa më vonë, në mënyrë që të përfitojë nga pozita e saj udhëheqëse.
Njoftimi i Komisionit Evropian përfshinë një tregues të fushave prioritare për 2018-20.
Sundimi i ligjit, siguria dhe migracioni, zhvillimi socio-ekonomik, lidhja e transportit dhe energjisë, axhenda dixhitale, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Edhe kjo është e mirë, pasi u jep vendeve të Ballkanit Perëndimor një ide mjaft të qartë për atë rreth të cilës duhet të punojnë.
Këtu nuk ka surpriza: sundimi i ligjit ka qenë në krye të shqetësimeve të Brukselit, pasi që tani konsiderohet si pranimi i parakohshëm i Bullgarisë dhe Rumanisë, kriza e emigrantëve ka preokupuar shumë anëtarë të BE për disa vite, duke e lidhur Ballkanin me pjesa tjetër e BE-së me infrastrukturën e transportit dhe energjisë është një nevojë e vërtetë dhe e ngutshme dhe “axhenda dixhitale” me sa duket përfshinë mbrojtjen kibernetike, si dhe përmirësimin e performancës së internetit në rajon.
Pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë ende sfida të mëdha në Ballkanin Perëndimor, sidomos midis Kosovës dhe Serbisë.
Spanjollët thuhet se kanë vendosur një vijë të kuqe për hyrjen e Kosovës në BE si një shtet sovran, me sa duket për shkak të shqetësimeve të Madridit rreth pavarësisë së Katalonjës.
Dje, në ditën kur është prezantuar Strategjia për Zgjerim e BE-së, kryetari i Këshillit të Evropës Jean Claud Juncker gjithashtu tha se 2025-ta “domosdo” është viti kur Serbia dhe Mali i Zi do të bëhen pjesë e BE-së, porse ajo është një datë indikative dhe inkurajuese.
“Është gabim të thuhet se unë dhe KE kemi thënë Serbia dhe Mali i Zi patjetër duhet të hyjnë në BE deri më 2025”, tha Juncker në Strasburg, duke theksuar se të dy vendet kanë shënuar përparime, porse duhet të vazhdojnë të punojnë me përkushtim dhe të ndjekin atë rrugë
Kjo është e tmerrshme, pasi Beogradi tashmë ka pranuar në parim se ajo dhe Prishtina do të kualifikohen veçmas për anëtarësimin në BE, e cila është në dispozicion vetëm për shtetet sovrane. Pozicioni i Madridit do të inkurajojë papajtueshmërinë e Beogradit.
Pas të gjitha raportimeve, është vërejtur se Kosova nuk ka bërë përparime në këtë fushë dhe me këtë rast ka pas reagime nga liderët e vendit.
Qeveria e Kosovës e ka lëshuar një deklaratë për media, nëpërmjet së cilës ka shprehur pakënaqësinë e saj me Bashkimin Evropian, përkatësisht me Strategjinë e Zgjerimit të BE’së me vendet e Ballkanit Perëndimor.