Zyra e Presidentit të Kosovës ka njoftuar të martën se pas përmbylljes së të gjitha procedurave dhe kompletimit të lëndëve me informacionet e kërkuara shtesë, do të emërohen anëtarët e rinj të KQZ-së.
Anëtarët e rinj të KQZ-së sot do ta bëjnë betimin para presidentit Hashim Thaçi.
Kujtojmë se vendimi i Presidencës për anëtarët e rinj të KQZ-së erdhi vetëm pak orë pas reagimit të Ambasadës amerikane në Kosovë, e cila të martën shprehu shqetësimin lidhur me mos emërimin e dhjetë përfaqësuesve në Komisionin Qendror Zgjedhor.
Përmes një reagimi për media, ambasada amerikane kishte thënë se “dështimi për t’i emëruar përfaqësuesit ia ka pamundësuar KQZ-së kryerjen e funksioneve të saj themelore”.
Ambasada amerikane kërkoi nga presidenti Thaçi që menjëherë t’i emërojë përfaqësuesit në KQZ për, siç u tha në reagim, t’ia kthyer këtij institucioni aftësinë për të punuar në mënyrë të besueshme dhe të pavarur për të mirën e popullit të Kosovës.