Anëtari i Bordit të AKP-së Hajzer Salihu i reagon Kurtit: Shkresa është e kundërligjshme!

Prishtinë | 25 Mar 2021 | 18:08 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar sot një e-mail, kryetarit të Bordit të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Bajram Zejnullahu, anëtarëve të këtij bordi dhe drejtorit menaxhues, Valon Tolaj. U ka kërkuar që deri në komunikimin e radhës të mos marrin vendime që kanë të bëjnë me privatizimin, tjetërsimin dhe çfarëdo veprimi tjetër që lidhet me të ardhmen e ndërmarrjeve shoqërore.

Ndaj kësaj kërkese të Kurtit ka reaguar anëtari i Bordit të Agjencisë së Kosovare të Privatizimit, Hajzer Salihu.

Ai ka thënë se Absurditeti juridik i shkresës se sotme të Kryeministrit, qëndron jo vetëm ne atë se ajo është një shkresë tërësisht e kundërligjshme për nga formulimi i kërkesës ne kuptimin juridik, por ajo është edhe ne kundërshtim me frymën juridike dhe institucionale të përdorimit të mekanizmave ligjor.

Postimi i plotë i Hajzer Salihut:

Qëndrim personal rreth ndërhyrjes së Kryeministrit Kurti në punën e institucionit të pavarur të AKP-së!

Kryeminstri Kurti, sot përmes një e-maili drejtuar Bordit të AKP-së ka kërkuar që të pezullohen të gjitha vendimet e këtij Bordi qe kanë të bëjnë me të gjitha ndërmarrjet shoqërore qe i ka nën administrim, deri ne hartimin e programit qeverisës! Kjo nuk është hera e parë qe Kryeministri Kurti ndërhyn ne punën e këtij institucioni të pavarur kushtetues dhe ligjor. Njëjtë kishte vepruar edhe në Mars të vitit 2020.

Si Anëtarë i Bordit, i emëruar ne këtë pozitë me Vendim të Kuvendit të RKS me datë 07.03.2019, konsideroj se kjo është ndërhyrje flagrante e degës së ekzekutivit ne punën e një institucioni të pavarur. Me nenin 1 paragrafi 1 të Ligjit Nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit janë përcaktuar qartë kompetencat dhe përgjegjësitë e AKP, e cila “…është organ i pavarur publik i cili i ushtron funksionet dhe përgjegjësitë e tijë në mënyrë plotësishtë autonome..”, dhe se për punën e saj i raportin vetëm Kuvendit të Republikës së Kosovës. 

AKP ne bazë të këtij ligji me Qeverinë shpesh herë ndodhë të jetë edhe palë ne procedurë (si psh: tek rastet e shpronësimeve të pronës shoqërore për interes publik, pagesat e 20% për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore etj..), andaj ndërhyrja e Kryeministrit dhe Qeverisë ne punën e një institucioni të pavarur, konsideroj se është e papranueshme dhe ne kundërshtim të plotë me Ligjin Nr. 04/L-034.

Absurditeti juridik i shkresës se sotme të Kryeministrit, qëndron jo vetëm ne atë se ajo është një shkresë tërsisht e kundërligjshme për nga formulimi i kërkesës ne kuptimin juridik, por ajo është edhe ne kundërshtim me frymën juridike dhe institucionale të përdorimit të mekanizmave ligjor për orientimin se si kjo Qeveri e sheh të ardhmen e një Agjencie të pavarur të themeluar me ligj të veçantë, e ne rastin konkret kur paralajmëron se: “…është duke punuar ne hartimin e programit qeverisës, dhe ne këtë program do të adresojnë veprimtarinë, kompetencat dhe funksionin e AKP”.  Kryeministri dhe këshilltarët e tijë ligjor duhet ta kenë të qartë se orientimi i institucioneve të themeluara me ligje të veçanta, mund të ndryshohet vetëm përmes ndryshim plotësimeve të atyre ligjeve. Ne të kundërtën çdo veprim ndryshe mund të shihet si një përpjekje e rrënimit të rendit kushtetues dhe ligjor, ne raport me funksionimin normal të institucioneve të pavarura shtetërore.

Si anëtarë i AKP-së, qe nga emërimi im por edhe tani, personalisht kam qenë dhe jam i përkushtuar qe të bashkëpunoj ne mënyrë institucionale me të gjitha qeveritë qe për synim kanë zhvillimin ekonomik të vendit përmes proceseve të bazuara ne ligjet qe janë ne fuqi, si dhe zbatimin e programve të tyre nëse ato janë ne pajtim me ligjet ne fuqi, apo ne raport me ndryshimet e bëra ligjore përmes procedurave standarde demokratike qe janë paraparë me aktet ne fuqi, por asnjeherë nuk do të pranojë qe ti nënshtrohem kërkesave politike qe nuk kanë orientim dhe bazë të qartë ligjore, bazë e cila fillimisht duhet vendosur, e qe me pastaj të mund të obligojë secilin udhëheqës dhe institucion ne Republikën e Kosovës për zbatimin e saj.

Personalisht, konsideroj se forma e ndërhyrjes se sotme ne mënyrë të njëanshme, pa një takim sqarues paraprak ne lidhje me mandatin ligjor të Agjencisë, është me tepër e  bazuar ne insinuata dhe percepcione dashakeqëse qe mund t’iu kenë servuar atij ne tavolinë, e që fatkeqësishtë konsiston mepas ne një ndermarrje të një veprimi të paligjshëm qe si i tillë të kujtonë ndërhyrjet e ish sistemit ne vitet 1989-90, kur ishin vendosur masa për ndërprerjen e dhunshme të funksionimit të institucionve nga regjimi i asaj kohe.

Të gjithë Kryeministrat dhe Qeveritë e këtij vendi, duhet qe ta kuptojnë se ndryshimet ne këtë vend mund dhe duhet të bëhen vetëm përmes një procesi transparent, ligjor dhe demokratik, ashtu siç edhe e përcaktojnë vlerat e parapara me nenin 7 paragrafin 1 të Kushtetutës se Kosovës, i cili përcakton se: “Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit, mosdiskriminimit, të drejtës së pronës, mbrojtjes e mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë së tregut”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme