Valon Murtezaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se të gjithë kandidatët e deritanishëm për kryetar të këtij subjekti janë figura serioze.
“Besoj se e gjithë kjo vëmendje e opinionit publik dhe mediave tregon se zgjedhjet për kryetar të LDK-së janë të një rëndësie të madhe, kemi një subjekt që është më i vjetri në Kosovë, një subjekt që ka traditën më të gjatë demokratike në Ballkan”.
“Deklarimi final i të gjitha kandidaturave bëhet në punimet e fundit, aty merr bekimin secila kandidaturë. Të gjitha kandidaturat deri tani të shpallura janë figura që kanë pika të forta dhe kanë mangësi, por të gjitha këto i bëjnë figura serioze për ta përfaqësuar LDK-në”.
Murtezaj në Klan Kosova ka deklaruar se cilido person që bëhet kryetar i LDK-së nuk duhet të jetë i frymës populiste, e cila sipas tij është problematik edhe në vendet e zhvilluara të botës pos Kosovës.
“Ne po hyjmë në një klimë populiste të Qeverisë brenda në Kosovë. LDK-ja qoftë si pjesëmarrëse në formimin e institucioneve, qoftë si opozitë ne politikë bërje, duhet ta ketë të qartë të mos jetë populiste. Lideri i LDK-së duhet të jetë person që ofron vetën për t’i bërë bashkë të gjithë ata që besojnë në vlera të LDK-së, këto nuk janë vlera minore janë vlera qenësore për ekzistencën jo vetëm të LDK-së, por edhe të Kosovës”.
“Çdo politikan serioz duhet të punojë ta reduktojë populizmin në qasjen e tij në të bëri politik. Nëse popuzlimi bëhet problematik për demokracitë e forta evropiane, ajo është edhe në Kosovë. Cilido person që del në krye të LDK-së duhet të ketë komunikim me të gjitha nivelet e partisë, sepse LDK-ja duhet të jetë ashtu si i takon, duhet të jetë partia e parë e Kosovës, Kosova është më demokratike kur LDK-ja është më e fortë”.
Murtezaj ka theksuar se nuk ka asnjë ndërhyrje në sistemin e votimin të kryetarit të LDK-së, pasi sipas tij votat janë të fshehta.
Ai ka pohuar se cilido që zgjidhet kryetar i LDK-së ka përpara sfida të mëdha për të punuar.
“LDK-ja pas zgjedhjeve ka rënë në numër të votave, detyra e parë është që të mobilizohen të gjitha sferat e partisë. Ka sfida të mëdha kërkon shumë komunikim, këto kërkojnë shumë kapacitet të madh njerëzor nga ana e udhëheqësit të ri të LDK-së, kam shpresë të madhe se gjërat për LDK-në do të jenë të mira”, ka thënë Murtezaj.