Drejtoresha e Ballkanit Perëndimor në Shërbimin evropian për punë të jashtme, Angelina Einhorst, do ta ketë për detyrë të përshpejtojë dhe intensifikojë bisedimet midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel si dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Siç shkruan “Veçernje Novosti” ajo do të jetë një ndërmjetësuese e rëndësishme në fazën e ardhshme të dialogut Beograd – Prishtinë, transmeton Klan Kosova.
Sipas kësaj gazete, plani është që ajo në muajt e ardhshëm të jetë në kontakt të vazhdueshëm me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe atë të Kosovës, Hashim Thaçi, në parimin e “shuttle diplomacy” duke bërë udhëtime të shpeshta në linjën Bruksel-Beograd-Prishtinë dhe të përpiqet të pajtojë qëndrimet e të dyja palëve,
Këto takime, pritet të jenë publike, por nganjëherë ato do të bëhen larg syve të publikut.
Einhorst, e cila sipas pretendimeve të “Novosti” deri tani nuk ka qenë e favorshme për pikëpamjet e Beogradit, tashmë është përfshirë në negociata.
Thuhet se ajo ka ndërmjetësuar fundjavën e kaluar në bisedimet teknike midis negociatorëve nga Beogradi dhe Prishtina, Marko Gjuriq dhe Avni Arifi.