Anibar do të menaxhojë kinemanë për 15 vjet

Prishtinë | 12 Jan 2017 | 14:03 | Nga

Vitet e shumta të aktivizmit qytetar nga Anibar me anë të komunitetit të vullnetarëve për të promovuar dhe zhvilluar më tutje kinemanë Jusuf Gërvalla, me anë të përmirësimit të shfrytëzimit publik dhe rivitalizimit të objektit në bazë të aktiviteteve të ndryshme, më në fund kanë ardhur në një përfundim shumë pozitiv.

Anibar është angazhuar për të rivitalizuar dhe restauruar kinemanë e vetme në të gjithë regjionin e Pejës (me më shumë se 100,000 banorë) me anë të iniciativës që ka përmbajtur një numër veprimesh që përfshijnë takime me komunitetin, panele me grupe të interesit, punëtori për mendimin e metodave alternative të shfrytëzimit të hapësirave publike, avokim, dhe procedura të shumta administrative.

Në dhjetor 2016 Komuna e Pejës ka filluar procesin e dhënies në shfrytëzim afatshkurtë të pronës së patundshme komunale, proces i zhvilluar me anë të procedurave të ankandit publik. Anibar është përzgjedhur si fituese e konkursit duke marrë në menaxhim kinemanë për 15 vitet e ardhshme, që do të mundësojë Anibarin të rivitalizojë, restauroj, dhe të ngrisë vlerën e ndërtesës me anë të strategjisë zhvillimore dhe programit të paraparë për avancim kulturor të kinemasë.

Kjo iniciativë shënon partneritetin e parë publiko-civil në Komunën e Pejës për rivitalizimin e një objekti kulturor publik, që vetëm ka filluar të tërheq vëmendje nga organizatat e tjera të shoqërisë civile për tu përdorur si model. Gjatë vitit të ardhshëm Anibar do të angazhohet për të mbështetur këto iniciativa dhe për të ndarë këshilla me organizata dhe institucione të tjera kulturore civile që janë në procesin e rivitalizimit të hapësirave publike nëpër Kosovë.

Qëllimet e Anibar janë për të ndërtuar një dijeni institucionale duke krijuar një hapësirë kulturore vibrante për përdorime të ndryshme, që do të shërbejë gjatë gjithë vitit për shfaqje të vazhdueshme të filmave, edukim qytetar, diskutim dhe prodhim të filmit.

* Bazuar në ligjin Nr. 04/L-144 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, Assambleja Komunale me datë 4 dhjetor 2015 ka dhënë pëlqimin për fillimin e procedurës së dhënjes në shfrytëzim afatshkurtë të pronës se patundshme komunale e cila do të rregullohej me anë të procedurave të konkursit publik, procedura të mbikqyrura nga ky ligj.

IMG_4268

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme