Anketa: I dënuari për nxitje të urrejtjes në balotazh për president të Francës

| 09 Nën 2021 | 12:02 | Nga

Sipas një ankete të re, komentuesi e gazetari i së djathtës, Eric Zemmour, do të shkojë në balotazh me presidentin e tanishëm, Emmanuel Macron, në zgjedhjet presidenciale të Francës, të cilat pritet të mbahen në prill të vitit të ardhshëm.

Figura e njohur e një emisioni televiziv, i cili është dënuar për nxitje të urrejtjes, së fundi ka qenë në qendër të vëmendjes në Francë me komente provokuese rreth Islamit, emigrantëve dhe grave, shkruan Reuters.

Në bazë të anketës së realizuar për gazetën “Le Figaro” dhe televizionin “LCI” nga kompania “Ifop-Fiducual”, Zemmour do t’i fitojë 17 për qind të votave në rundin e parë, ndërsa presidenti i tanishëm, Emmanuel Macron, 25 për qind. E treta në anketë ishte Marine Le Pen e të djathtës ekstreme me 16 për qind.

Në vargun e fundit të deklaratave kundërthënëse, Zemmour tha në një intervistë të dielën se gratë fitojnë më pak se burrat, sepse ato zgjedhin profesione që paguhen më pak.

Zemmour në të kaluarën është dënuar disa herë për gjuhë të urrejtjes në aspektin racor dhe fetar. Më 2010 është dënuar, pasi tha se “shumica e dilerëve të drogës janë persona me ngjyrë dhe arabë”, ndërsa më 2019 i krahasoi myslimanët në Francë me “kolonizuesit”, shkruan France24, transmeton Gazeta Express.

Sidoqoftë, as Zemmour, as Macron nuk kanë treguar publikisht ende nëse do të garojnë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Për më shumë se një vit, anketat e nxirrnin Le Penin në vendin e dytë. Ajo kishte fituar 21.3 për qind të votave në vitin 2017, por kishte humbur në rundin e dytë në garë me presidentin e tanishëm.

vMegjithatë, muajin e kaluar, dy anketa e shfaqën Zemmourin me rezultat të rritur në vendin e dytë për herë të parë para Le Penit, partia e së cilës ka mbizotëruar në të djathtën ekstreme me dekada.

Të ngjashme