Anketat e opinionit publik tregojnë se ish Zv/Presidenti Joe Biden vazhdon të udhëheqë mes sfiduesve demokratë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Por shqetësimet për moshën e Bidenit dhe gafat e tij në fjalime i kanë bërë demokratët që të shtrojnë pikëpyetje nëse ai do të ishte kandidati më i mirë përballë Presidentit Trump në zgjedhjet e vitit që vjen.
Në Ajova, Bideni synon të përforcojë statusin e tij në krye të garës demokrate, duke vënë në shënjestër Presidentin Trump.
“Nëse i japim atij tetë vite, dhe këtë e besoj nga thellësia e zemrës time, ai përgjithmonë do të ndryshojë karakterin dhe natyrën tonë. Prandaj duhet ta mposhtim zotin Trump në vitin 2020”.
Bideni mbetet në krye të anketave kombëtare dhe të shteteve, por përballet me konkurrencë të fortë nga disa rivalë, përfshirë senatoren e Masaçusetsit, Elizabeth Warren, raporton Zëri i Amerikës.
“2020 është shansi ynë. Ne mund ta bëjmë këtë qeveri të punojë për të gjithë Amerikën. Demokratë, le ta bëjmë këtë. Të punojmë shumë dhe të fitojmë”.
Pavarësisht se ai është 76 vjeç, Bideni mbetet një politikan energjetik. Por gjithashtu ai ka shkaktuar kritika me një seri gafash, përfshirë komentet mbi ndihmat për varfrit.
“Fëmijët e varfër janë po aq të zgjuar dhe të talentuar sa fëmijët e bardhë, fëmijët e pasur, fëmijët afrikano amerikanë, fëmijët aziatikë”.
Bideni është vënë shpesh nën shënjestër nga njeriu me të cilin dëshiron të përballet në zgjedhje, Presidenti Trump.
“Joe është i mangët. Ky nuk është dikush që mund të keni si president. Por nëse merr miratimin (e demokratëve), do të më bëhej qejfi”.
Bideni ka marrë disa goditje në debatet e para por gjithashtu ka treguar aftësi përtëritëse, thotë analistja Vanessa Beasley e Universitetit Vanderbilt.
“Ende ka prova të mira që demokratët mendojnë se ai është njeriu me shanset më të mira për të mundur zotin Trump. Shumë demokratë po tregojnë zemërbutësi sepse duan që ai të ruajë statusin e emrit më të njohur dhe shansin më të madh për të mposhtur zotin Trump”.
Votimet e para mes kampit demokrat do të zhvillohen në muajin shkurt çfarë do të thotë se ka kohë të mjaftueshme që rivalët të fitojnë epërsi, thotë Kyle Kondik me Universitetin e Virxhinias.
“Bideni po kryeson ndërsa i afrohemi shtatorit dhe tetorit dhe pas disa debateve të tjera ai do të provojë se është kryesuesi më i qëndrueshëm i garës. Por, gjithashtu ekziston mundësia që një pjesë e mbështetësve të tij të kalojë tek kandidatët e tjerë, dhe pastaj do të kemi një garë më të hapur”.
Demokratët po ashtu mbeten të ndarë mbi atë nëse ata duhet të përqendrohen tek Trumpi apo tek reformat gjithëpërfshirëse ekonomike dhe sociale, thotë analisti Darrell West nga Instituti Brookings.
“Pra debati kryesor aktual mes demokratëve po bëhet mbi atë nëse ata duhet të kërkojnë ndryshime të vogla dhe në thelb kthimin e Amerikës në atë që ishte para zotit Trump, apo nevojën për ndryshime më thelbësore”.
Kjo dilemë do të shfaqet përsëri kur demokratët të zhvillojnë debatin e tretë muajin që vjen në Hjuston.