Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit për raportet financiare dhe atyre të deklarimit financiar të subjekteve politike për vitin 2017, raporton Ekonomia Online.
Para deputetëve mysafirët që kishin ardhur nga kompanitë e auditimit, nuk patën fjalë të mira për raportin financiar të partive politike.
Kjo pasi që sipas drejtorit të kompanisë së auditimit “Audit&Konto”, pothuajse çdo auditim kryhet nën presione të shumta.
E gjithë kjo, sipas Drejtorit të kompanisë së auditimit “Audit&Konto”, Ymer Shatri, pasi që shumë nga partitë politike nuk publikojnë asnjëherë raportin financiar.
“Çdo auditim kryhet nën presione të ndryshme. Presion është mos udhëheqja e kontabilitetit disa nga partitë që nuk po mbajnë kontabilitet sipas standardeve dhe kërkesave ligjore. Mospublikimi i raporteve financiare, asnjë parti nuk mban një raport të tillë”, tha Shatri.
Shatri shton se ndër problemet kryesore të auditimit janë pasi partitë politike nuk kanë kontabilist të certifikuar brenda subjekteve ta tyre.
Sipas tij, edhe po t’i kenë këta kontabilist, në të shumtën e rasteve ata janë joprofesional për t’i udhëhequr financat e partisë.
“Partitë politike nuk kanë asnjë kontabilist të certifikuar. Stafi është joprofesional për t’i udhëhequr financat e partisë. Partitë politike nuk po i publikojnë përkrahjet apo financat në fushata zgjedhore. Nuk janë transparente partitë politike në prezantimin e raporteve financiare”.
Shatri shton se në momentin që ata i kanë kërkuar disa nga subjekteve politike raportet financiare, ata i kanë kthyer përgjigje duke i sharë e ofenduar, raporton EO.
“Ka pasë parti politike që ndoshta na kanë sha kur ia kemi kërkuar raportin financiar duke na thënë ‘mos më lodh, kush je ti’. Po i bien që auditimi po kryhet si një obligim ligjor dhe jo me qëllim të transparencës financiare”.
“…në këtë vit i kemi bërë në auditim 19 subjekte politike. Vërejtjet kryesore janë këtë vit raportimet që është dashur t’i bëjnë koalicionet. Partitë politike nuk i kanë respektuar kërkesat që si koalicion të raportojnë. PDK, AAK Nisma financat i marrin si PAN, ndërsa raportet i kemi audituar të ndara dhe jo si PAN”, tha Shatri.
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Valon Ramadani pyeti se çfarë fatura ka sjellë Lista Serbe.
Ndryshe prej subjekteve partiake të Kosovës, fqinjët nga Lista Serbe, për auditorët kanë qenë më transparent sa i përket raportit të financave. Shatri u shpreh se kjo parti ka qenë shumë bashkëpunuese dhe se u ka sjellë të gjitha të dhënat që i janë kërkuar, raporton EO.
“Lista Serbe nuk ka pasë shumë shpenzime, ata na kanë sjellë të gjitha të dhënat që i kemi kërkuar. Lista Serbe për neve ka qemë e gatshme me bashkëpunuar dhe me të gjitha procedurat, llogari bankare, raport të financave për neve ka qenë shumë në rregull”, shtoi Shatri.