Që nga përhapja e Coronavirusit në Kosovë prodhuesit kanë pasur rënie të konsiderueshme sa i përket qarkullimit deri në 50%, ka thënë Burim Piraj nga kompania “Meka Halal Food”, në një intervistë për Ekonomia Online
Madje ai tha se janë vonuar dhe kanë pasur vështirësi edhe sa i përket investimeve të planifikuara për këtë vit. Piraj theksoi se nuk ka pasur largime të punëtorëve nga puna për shkak të Coronavirusit.
“Me të gjitha planifikimet që i kemi bërë për sivjet sidomos nga ana e investimeve kemi pasur vështirësi dhe jemi vonuar shumë. Gjithashtu nuk na ka mundësuar të krijojmë profit të ri por falë zotit nuk kemi pasur humbje që edhe atë e quajmë një sukses pasi që në këtë situatë të mos kesh humbje mendojmë se është punë e mirë”.
“Ne gjatë muajit fillestar kur është paraqitur Coronavirusi mund të them se nuk kemi pasur rritje. Por kemi pasur rënie vetëm nga planifikimi. Mirëpo muajt e fundit sidomos gjatë gushtit ndoshta për shkak të mos ardhjes së atdhetarëve tanë nga diaspora të cilët i kemi konsumator të produkteve tona ka pasur një rënie të konsiderueshme e cila në qarkullim të përgjithshëm arrin deri në 50%. Nuk kemi pasur largim të punës. Kemi pasur largime të rëndomta për shkak të mos përmbushjes së detyrave, miro largim për shkak të Coronavirusit nuk kemi pasur”.
Tutje, ai tha se humbjet këtë vit do të jenë mjaft të mëdha, duke shtuar se nuk do të ketë zhvillime të mira në ekonomi.
“E kemi brengën se tani e tutje humbjet do të jenë më të mëdha sepse reflektimi i humbjeve fillestare mund të pasojë me humbje edhe më të mëdha. Fundi i këtij muaji nuk është shpresëdhënës por edhe tani këto ditë nuk janë shumë shpresëdhënëse se do të ketë zhvillime të mira në ekonomi. Prandaj edhe ne po përgatitemi disi ta përballojmë situatën dhe të mos shkojmë deri te humbja dhe largimi i punëtorëve”, shtoi ai.
Sipas tij, institucionet e vendit janë vonuar sa i përket rimëkëmbjes ekonomike. Pronari i kompanisë , “Meka Halal Food”,shtoi se prodhuesit kanë probleme me lëndën e parë.
Sipas Pirajt, dialogu me Serbinë ka marrë shumë hapësirë dhe ekonomia është lënë anash. Ai tha se për 20 vjet kanë drejtuar kërkesa të shumta në Qeveri, mirëpo nuk kanë marrë përgjigje asnjëherë, raporton Ekonomia Online.
“Institucionet tona janë vonuar në të gjitha aspektet dhe për të bërë rimëkëmbje nuk mjafton vetëm fjala po duhet bërë punë të madhe. Duhet t’i përshpejtojmë të gjitha masat edhe nëse merret një vendim duhet të zbatohet menjëherë. Prodhuesit vendor kanë probleme shumë të mëdha. Kanë probleme me lëndën e parë e cila pakësohet dhe të cilës i paguhet TVSh-ja”.
“Prodhuesit vendor e subvencionojnë buxhetin shtetëror. Prandaj duhet të bëhen reforma të mëdha në ekonominë tonë ashtu që prodhimi të ketë prioritet dhe shihet si përfaqësi për investime në Kosovë nga investitorët e mundshëm ndërkombëtar”.
“Kohëve të fundit dialogu ka marrë shumë hapësirë dhe ekonomia është lënë anash. Për 20 vjet kemi pasur shumë kërkesa e asgjë nuk është realizuar. Tani më nuk e di a ka ekonomist që ka vullnet të paraqitet pranë institucioneve tona me probleme të veta kur askush për 20 vjet nuk është marrë me to”.