Pas përfundimit të misionit të Angela Merkelit, Partia Kristiane Demokrate e Gjermanisë e ka zgjedhur pasardhësen e saj. Në këtë pozitë u zgjodh zonja Annegret Kramp-Karrenbauer. Ajo është aleate e Angela Merkelit, ndërsa në garën për ta fituar vendin e kryeates e mposhti biznesmenin milioner, Friedrich Merz në rundin e dytë të procesit zgjedhor.
Ajo nuk do të emërtohet automatikisht në pozitën e kancelares, por ka gjasa të mëdha për këtë në rast të dorëheqjes së zonjës Merkel apo në rast të shkarkimit të saj. Në anën tjetër, Angela Merkel ka deklaruar se është e vendosur ta mbajë pozitën e kancelares edhe për tri vitet e ardhshme, ndërsa për këtë vendim e kishte përkrahjen e 56 për qind të gjermanëve.
Kramp-Karrenbauer është përballur me disa sfida gjatë garës për kryetare të partisë. Ajo është munduar të duket sikur po e përkrah Merkelin, por njëkohësisht ka dhënë shenja të qarta se do ta dërgojë partinë në një drejtim të ri.
Ndonëse ajo e ka përkrahur politikën e Merkelit për imigrantët, e ka pranuar se gjatë këtij procesi janë bërë gabime thelbësore dhe ka kërkuar që të ndalohen refugjatët që kanë të kaluar kriminale, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.