Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, ANP “Adem Jashari”, ka organizuar konkurs artistik për fëmijë, me qëllim të ofrimit të mundësisë për shprehjen e kreativitetit të tyre përmes artit.
Valentina Gara, zëdhënëse e Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, tha se këto aktivitete janë organizuar për nderë të ditës së fëmijëve, raporton Ekonomia Online.
“Në kuadër të vizitave të vazhdueshme të fëmijëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, edhe sot fëmijë të shkollave të komunave të ndryshme të Kosovës kanë ardhur për festën që ne kemi organizuar pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. Përveç këtij aktiviteti, aeroporti ka organizuar edhe ekspozitë për fëmijët 6 – 11-vjeçarë”, tha ajo.
Fëmijët gjatë këtij aktiviteti janë argëtuar me recitime, këngë, e lojëra të ndryshme, raporton EO.
Mirsa Rexhepi, nxënëse në klasën e pestë të shkollës fillore “Safet Rexhepi”, tha se sot ka përgatitur një monolog për të argëtuar edhe fëmijët e tjerë.
“Sot kam përgatitur një monolog për nderë të festës së fëmijëve. Kam ardhur bashkë me shkollën time, dhe ju uroj fëmijëve 1 Qershorin”.
Shkurte Januzi dhe Erda Rexhepi, nxënëse të klasës së katërt, uruan fëmijët për festën e 1 Qershorit.
Pjesë e këtyre aktivitete ishin shkolla të komunave të ndryshme të Kosovës.