Antikorrupsioni i ka “detyruar” deputetin e LDK’së, Besian Mustafën dhe Drejtorin e Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishajn, që të heqin dorë nga pozitat në biznese private. Të dy rastet janë mbyllur tashmë, por Agjencia thotë se mund të rihapen në çdo kohë, në rast se paraqiten rrethana të reja.
Deri vonë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, përveç që ishte deputet në Kuvendin e Kosovës, ushtronte edhe funksionin e Drejtorit dhe Përfaqësuesit të Autorizuar në Biznesin “Gainsight Services” SH.P.K.
Për këtë situatë, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte filluar hetimet për konflikt të mundshëm interesi.
Sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, “Zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridië privatë, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare dhe organizatave joqeveritare, përjashtuar subjektet e përcaktuara në nenin 14 të këtij ligji, subjektet politike si dhe rastet kur një funksion i tillë i dedikohet me ligj për shkak të funksionit”.
Pasi Agjencia e ka njoftuar deputetin Mustafa se ka filluar ta shqyrtojë rastin për konflikt interesi, ky ka deklaruar se biznesi në fjalë është pasiv, por se do të ndërmarrë menjëherë veprime për ta shmangur një gjendje të tillë.
“Pas diskutimit dhe ballafaqimit të fakteve, zyrtari i lartë z.Besian Mustafa është pajtuar me gjetjet e Agjencisë, duke deklaruar njëherit se biznesi në fjalë është pasiv dhe se nuk zhvillon ndonjë aktivitet, por gjithsesi do të ndërmarr veprime të menjëherëshme dhe konkrete në mënyrë që të shmang papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit publik.
Ndërkohë, Agjencia ka pranuar shkresën zyrtare, me të cilën dëshmohet se zyrtari i lartë z.Besian Mustafa ka bërë ndryshimet e kërkuara nga Agjencia dhe se i njëjti nuk figuron më të jetë Drejtor e as Përfaqësues i Autorizuar në biznesin privat “Gainsight Services” SH.P.K”, thuhet në vendimin e AKK’së.
Pas kësaj rasti ndaj Mustafës është mbyllur, por Antikorrupsioni thotë se mund të rihapet në çdo kohë, nëse paraqiten rrethana të reja.
“Mbyllet rasti me nr. AKK-DPKI-06-2591/21, për zyrtarin e lartë z.Besian Mustafa, Deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, për shkak se është shmangur gjendja e papjtueshmërisë, përkatësisht konfliktit të interest në ushtrim të funksionit publik. Rasti mund të rihapet në çdo kohë, në rast se paraqiten rrethana të reja”, thuhet në vendim.
Me situatë të njejtë është përballur edhe Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj.
Vishaj mbante pozitën dhe të Pronarit dhe personit të autorizuar në odinancën private N.Sh “Infeksioni”.
“Pas konfirmimit të informacionit Agjencia Kundër Korrupsionit, sipas procedurës së paraprë, fillimisht e ka njoftuar zyrtarin e lartë me një shkresë zyrtare për fillimin e shqyrtimit të gjendjes së mundshme të konfliktit të interest. Pas pranimit të kësaj shkrese, është mbajutur takim me zyrtarin e lartë dhe është njoftuar se gjatë ushtrimit të funksionit si zyrtar i lartë publik, nuk mund të ushtroj edhe funksion menaxhues në biznesin privat, sepse kjo është e ndaluar me nenin 13 të Ligjit për parandalimine e konfliktit të interesit”, thuhet në vendim.
Kur Agjencia e ka njoftuar Vishajn se kjo situatë është e ndaluar sepse përbën konflikt interesi, ai ka deklaruar se s’ka pasur njohuri me kufizimet e parapara, por se do të ndërmarrë veprime të menjëhershme që të shmang një situatë të tillë.
“Në ndërkohë, Agjencia ka pranuar njoftimin, informacionin zyrtar nga z.Arben Vishaj, Drejtor i Klinikës Infektive në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, me tyë cilën na ka njoftuar se ka ndërmarr veprimet e nevojshme dhe ka hequr dorë nga të qenurit person i autorizuar në biznesin privat me emër N.SH “Infeksioni”.
Agjencia Kundër Korrupsionit, konstaton se me veprimet e ndërmarra nga zyrtari i lartë z.Arben Vishaj, Drejtor i Klinikës Infektive në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, duke hequr dorë nga të qenurit person i autorizuar në biznesin privat me emër N.SH “Infeksioni”, janë krijuar rrethana të reja dhe është shmangur gjendjen e papajtueshmërisë, përkatësisht konfliktit të interesit në ushtrim të funksionit publik, andaj u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Antikorrupsionit.
Pas kësaj, rasti është mbyllur, por mund të hapet nëse paraqiten rrethana të reja.
“Mbyllet rasti për zyrtarin e lartë z.Arben Vishaj, Drejtor i Klinikës Infektive në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, për shkak së është shmangur gjendja e papajtueshmërosë, përkatësisht konfliktit të interesit në ushtrim të funksionit publik. Rasti mund të rihapet në çdo kohë në rast se paraqiten rrethana të reja”, thuhet në vendimin që mban nënshkrimin e Drejtorit të AKK’së, Yll Buleshkaj./Gazeta Express