Anton Cena e ka nderuar edhe një herë shtetin e Kosovës.
Veterani i xhudos e ka ngritur përsëri më së larti flamurin e Republikës së Kosovës dhe njëherësh për nder të tij jehoi edhe himni ynë shtetëror.
Cena është shpallur kampion i botës për veteranë, teksa e përfaqësoi Policinë e Kosovës në garat që u mbajtën në Lisbonë të Portugalisë.
Përgatitja serioze që e bëri ai i solli edhe frytet e saj pasi u tregua “arrë e fortë” për kundërshtarët, shkruan “Gazeta Express”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Cena i ka falënderuar të gjithë për mbështetjen dhe nuk e ka fshehur gëzimin që ia solli një tjetër medalje shtetit të tij dhe Policisë së Kosovës.
Ndërkohë, xhudisti pejan ka paralajmëruar se kjo mund të ketë qenë gara e tij e fundit pasi i duhet ta bëjë një intervenim, pas së cilit nuk do të mundë të garojë më.
Me këtë rast, do të mbyllej një karrierë e lavdishme dhe e suksesshme me shumë trofe e medalje, e cila ka nisur qysh në grupmoshat e reja, për të vazhduar tek seniorët e deri tek veteranët.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e Cenës, i cili njëherësh është edhe trajner i xhudos dhe pjesë e Policisë së Kosovës.
Ai njihet edhe si një njeri mjaft human dhe i dashur për të gjithë.