Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dalë mëngjesin e kësaj të hëne në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, për të sqaruar vendimin e tij në lidhje me anulimin e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.
Duke cituar Kushtetutën ai tha se Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zgjedhjeve dhe për zhvillimin e referendumeve. Ai shtoi se zgjedhjet janë moment bashkimi për qytetarët shqiptar dhe kurrsesi nuk mund të jetë ditë ndarëse.
“Në zbatim të neni 92, Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zgjedhjeve si dhe për zhvillimin e referendumeve. Konkretisht në këtë dispozitë kushtetuta përcakton datën e zgjedhjeve. Pa pasur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo vendore nuk mund të zhvillohen. Kurrsesi data e zgjedhjeve nuk mund të jetë ditë përçarëse.
Ekziston rreziku real që Shqipëria të shkojë drejt përshkallëzimit të paparashikueshëm që mund të shkaktojë pasoja të paparashikueshme. Është rrezik për paqen në vend. Zhvillimi i zgjedhjeve pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës cenon disa parime kushtetuese”, tha Meta.