Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli që nga ora 14:40 është duke pritur homologun e tij grek, Nikos Kotzias. Për në orën 15:30 ishte paralajmëruar një konferencë e përbashkët.
Konferenca është anuluar pa njoftim paraprak nga zyra e Pacollit. Nuk dihen arsyet e anulimit, por mediet u njoftuan për anulimin e saj veç kur ishin në objektin e MPJ-së, raporton Ekonomia Online.
Gjatë shtrëngimit të duarve ndërmjet Pacollit dhe Kotzias, ky i fundit i pyetur nga gazetarët për arsyen e mos mbajtjes së konferencës së paralajmëruar për medie në Prishtinë, njëjtë siç kishte bërë dje edhe në Beograd, ka thënë se më shumë do të flasin brenda takimit.
Kotzias gjatë ditës ishte në Ohër ku është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë Nikolla Dimitrov, me të cilin bisedoi rreth çështjes së emrit.
Diplomati grek më pas do të takohet edhe me presidentin Hashim Thaçi. Edhe nga ky takim mediet nuk do të kenë mundësi të kuptojnë se çka u diskutua, ngase mediat do të mund të marrin vetëm pamje.
Kotzias tha të mërkurën në Beograd se vendi i tij nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa sqaroi se zyra tregtare e Kosovës në Athinë nuk do të jetë përfaqësi diplomatike.
“Qysh në vitin 2011 dhe 2014, në kohën e qeverisë së atëhershme, është rënë dakord të hapet zyra tregtare e Kosovës”.
“Zyra tregtare në Athinë, kur të hapet, nuk do të jetë përfaqësim diplomatik i Kosovës. Kjo nuk është rënë dakord dhe nuk është paraparë”,.
Greqia, së bashku me Spanjën, Qipron, Sllovakinë dhe Rumaninë, janë pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës.